Bota

Gjermania kërkon punëtorë jashtë Bashkimit Evropian

Punëtorëve nga Ballkani Perëndimor, të cilët tashmë gëzojnë akses të veçantë në Gjermani, do t’u duhet të presin deri në një vit që t’u plotësohen të gjitha proceduarat e aplikimit

Pas një dekade rritjeje ekonomike, papunësia është në nivelin më të ulët dhe vendet e lira të punës janë në nivelin më të lartë që prej bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990.

Gati dy të tretat e firmave gjermane ankohen për mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar, shkruan “The Economist”. Prandaj, Gjermania ka filluar të kërkojë punëtorë jashtë Bashkimit Evropian.

Rritja modeste e pagave në Gjermani sugjeron që nuk ka mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, por nëse do të shkonim për një vizitë në zemër të një prej rajoneve më të rëndësishme gjermane të industrisë së prodhimit në Baden-Württemberg, do të përballeshim me një këndvështrim krejt tjetër nga ana e punëdhënësve.

Nëse ne vendosim njoftime në gazeta të ndryshme se kërkojmë të punësojmë punëtorë, feedback-u që marrim është zero, shprehet me keqardhje Peter Kaufmann, i cili drejton një firmë ndërtimi në Oberstadion, një fshat pranë Ulm. Ai thotë më tej se do të dëshironte ta rriste nga 100 në 150 numrin e punëtorëve, në rast se do të gjente më shumë muratorë dhe marangozë. Edhe sektorët, si ai i turizmit apo kujdesi ndaj të moshuarve, po përballen me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore. Nicole Hoffmeister-Kraut, ministrja e Ekonomisë së Baden-Württemberg, thotë se mungesat e fuqisë punëtore dëmtojnë rritjen e mëtejshme, transmeton ‘Monitor’.

Si rezultat, parlamentarët gjermanë po diskutojnë përpjekjen e parë të vendit për të rregulluar emigracionin e punëtorëve gjysmë të kualifikuar që vijnë nga shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian. Nëse miratohet, Fachkräfteeinwanderungsgesetz (“Ligji për emigracionin e punëtorëve të kualifikuar”), duke filluar nga viti 2020, do të zgjerojë rregullat që përfshijnë si të diplomuarit e huaj ashtu edhe punëtorët, të cilët kanë marrë trajnime të ndryshme profesionale. Kompanive dhe firmave të ndryshme nuk do t’u duhet më, që të favorizojnë shtetasit e BE-së, gjë që do të thotë se ato mund të punësojnë emigrantë nga jashtë BE-së, për aq kohë sa këta të fundit të flasin mirë gjermanisht dhe janë trajnuar për të punuar sipas standardeve gjermane, përcjell albinfo.ch.

Ky ligj do të jetë një kompromis i vështirë midis “koalicionit të madh” të Gjermanisë së qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë. Hubertus Heil, ministri gjerman i Punës, e quan këtë projektligj si një prej momenteve më të rëndësishme në historinë gjermane. Megjithatë, në këtë formë që është prezantuar aktualisht, ai do të bëjë shumë pak në drejtim të lehtësimit të problemeve të punëdhënësve. Është jashtëzakonisht e vështirë për të huajt që të provojnë se kanë aftësi të barasvefshme me kolegët e tyre gjermanë.

Sipas sistemit “të edukimit të dyfishtë” (dual education – sistem që kombinon teorinë në shkolla me praktikë konkrete pranë kompanive) të Gjermanisë, rreth gjysma e atyre që kanë braktisur shkollat janë trajnuar për të punuar më pas në një prej 330 profesioneve të rregulluara, që nga ata që lidhin librat e deri tek ata që merren me prodhimin e termometrave. Ky sistem, me rrënjë të thella në historinë gjermane, nuk është i krahasueshëm me asnjë sistem tjetër jashtë Evropës, gjë të cilën e kanë mësuar në kurriz të tyre refugjatët sirianë që mbërritën në Gjermani me profesione si bukëpjekës apo shoferë kamioni.

Prandaj, sipas këtij ligji, qeveria gjermane ka vendosur se do të pranojë në Gjermani rreth 25,000 njerëz në vit, të paktën në fillim. Rainer Dulger nga Gesamtmetall, një grup punëdhënësish inxhinierikë, shprehet se ligji, do të ndihmojë të plotësojë me vetëm një të dhjetën mungesën e forcës punëtore që ekzistojnë aktualisht. “Për aq kohë sa nuk do të trajtohet çështja e njohjes së kualifikimeve të huaja, ndryshimet që do të ndodhin nuk do të jenë të rëndësishme”, shprehet Rüdiger Wapler nga Instituti i Kërkimeve mbi Tregun e Punës në Shtutgart. Filiz Polat, deputete e Partisë së Gjelbër të opozitës, thekson qasjen armiqësore që ende po tregohet ndaj të huajve, përpos përpjekjeve të qeverisë për të krijuar një regjim sa më bujar.

Madje, disa anëtarë të partisë qeverisëse Bashkimi Kristian Demokratik (CDU) në fakt vazhdojnë të mendojnë se Gjermania nuk është një shtet për emigrantët, edhe pse një e katërta e popullsisë së saj janë emigrantë dhe mbi 100,000 njerëz natyralizohen çdo vit. Ky ligj është nxjerrë duke marrë në konsideratë rrjedhën politike të viteve 2015-‘16, kur mbi një milion azilkërkues hynë në Gjermani. Nga 10,000 deri në 15,000 emigrantë mbërrijnë çdo muaj dhe ata pak prej tyre që urdhërohen të largohen, kërkojnë azil.

Thomas Bauer, kryetar i Këshillit të Ekspertëve të Fondacioneve Gjermane për Integrimin dhe Emigracionin, propozon se deri sa të reduktohet numri i azilkërkuesve, do të jetë e vështirë që të lehtësohen rregullat për emigrantët që vijnë për të punuar në Gjermani. Ndërkohë, firmave do t’u duhet të menaxhojnë ligjin e ri, grupeve të punëdhënësve do t’u duhet që të merren me një sërë sistemesh në drejtim të trajnimit të të huajve, dhe ambasadat do të kenë nevojë për më shumë mbështetje dhe për më shumë burime informacioni.

Punëtorëve nga Ballkani Perëndimor, të cilët tashmë gëzojnë akses të veçantë në Gjermani, do t’u duhet të presin deri në një vit që t’i plotësohen të gjitha proceduarat e aplikimit. Oliver Maassen, kreu i Burimeve Njerëzore në Trumpf, një kompani me bazë në Shtutgart e specializuar për prodhimin e pajisjeve të ndryshme për makineritë, shprehet se kompanisë së tij dikur i janë dashur mbi 11 muaj dhe dhjetëra mijë euro, në përpjekje që të siguronte një vizë për një koleg të kualifikuar nga India që donte të zhvendosej në Gjermani.