Lajme

Gjermania, rregulla më të ashpra kundër mashtrimit me para

Gjermania do t’i koordinojë më mirë aktivitetet në luftën kundër pastrimit të parasë dhe terrorizmit financiar. Për këtë Ministria e Financave për herë të parë ka paraqitur një katalog masash.

Në fillim të vitit në Gjermani hyri në fuqi direktiva e rishqyrtuar kundër parave ilegale. Megjithatë, në shumë hallka puna çalon. Në nivelin ligjor dhe në sektorin e përmbarimit duhet bërë më shumë, thuhet në qarqet e qeverisë federale. Ndaj, Ministria e Financave do të angazhohet në nivelin e BE-së që të vendosen rregulla të njësuara për luftën kundër pastrimit të parasë.

Direktiva për luftimin e parave ilegale parashikon ndër të tjera një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet në Gjermani në mënyrë që përndjekja penale të jetë më efikase. Ministria e Financave mendon se ka “nevojë për përmirësime”. Njësia Kundër Pastrimit të Parave duhet të ketë një qasje më të mirë ndaj të dhënave të autoriteteve të tjera hetimore. Gjatë blerjes së arit me para në dorë do të pakësohen kriteret që e kufizojnë identifikimin e blerësit.

Detyrim informimi për noterët

Veçanërisht dega e patundshmërive do të kontrollohet më rreptësisht. Është planifikuar që në kuadër të një udhëzimi ligjor, që do të hyjë në fuqi në gjysmën e parë të vitit, në të ardhmen noterët duhet të denoncojnë transaksionet e dyshimta financiare. Sfondi i këtij rregulli ka të bëjë me faktin, se që pas krizës mbarëbotërore financiare të vitit 2008, tregu i patundshmërive në shumë shtete pësoi një bum, po kështu edhe në Gjermani. Edhe transaksionet me shuma të mëdha vazhdimisht realizohen me para në dorë, e megjithatë noterët pothuajse nuk i denoncojnë kontratat e dyshimta.

Ministria e Financave nuk donte të përmendte vlerësime të sakta mbi përmasat e problemit. Por meqenëse është e nevojshme të veprohet, qeveria tani ua ka kaluar veprimtarinë ministrive të ndryshme – asaj të Financave, të Punëve të Brendshme, të Drejtësisë, Ekonomisë dhe Ministrisë së Jashtme – puna mes tyre duhet bashkërenduar edhe me punën e landeve dhe të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (BaFin), Entit Federal të Kriminalistikës dhe Shërbimit Informativ Federal. Po ashtu është angazhuar një bord koordinues, i cili duhet të mblidhet dy herë në vit.

BaFin do një autoritet evropian kontroll

Ndërkohë Enti Federal për Mbikëqyrjen Financiare është angazhuar fort për krijimin e një autoriteti më vete të BE-së për luftën kundër pastrimit të parasë.

“Për ta bllokuar aktivitetin e atyre që pastrojnë paratë ilegale, është e domosdoshme të krijohet një mbikëqyrje e pastrimit të parasë në nivel evropian. Një autoritet më vete evropian, i koordinuar me autoritete kombëtare, do të ishte në këndvështrimin tim zgjidhja më e mirë për luftimin e pastrimit të parasë në sektorin financiar – e ndoshta kjo mund të ishte edhe mënyra më e mirë për ta luftuar atë me efikasitet”, tha shefi i Bafin Felix Hufeld gjatë pritjes së fillimit të vitit në Frankfurt mbi Main.

Sipas mendimit të mbikëqyrësit suprem të financave në Gjermani, do të ishte gabim, që kontrolli t’i delegohej Autoritetit Evropian të Mbikëqyrjes Bankare (EBA) me seli në Paris.

“Kjo është në kundërshtim me primatin e ndarjes së pushteteve, si dhe kalimin në një dorë të kompetencës së vendosjes së normave dhe zbatimit të normave”, thotë EBA.

As Banka Qendrore Evropiane nuk është e përshtatshme për këtë. Ajo ka mandatin vetëm nga 19 vende të Eurzonës. Pas skandaleve të pastrimit të parasë në shuma miliardëshe si në Danske Bank apo në Maltë, vitin e kaluar EBA-së iu kaluan më shumë kompetenca. Por ajo është në radhë të parë një përcaktuese e rregullave dhe jo kontrolluese. Kontrolli vazhdon të jetë në përgjegjësinë e autoriteteve kombëtare të mbikëqyrjes, që sipas mendimit të kritikëve, jo gjithmonë bashkëpunojnë sa duhet. Ndaj ministrat e Financave i kanë bërë thirrje Komisionit të ri të BE-së që të verifikojnë rrugët për harmonizimin e funksioneve kontrolluese brenda një autoriteti të BE-së, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.