Lajme

Gjermania nuk pranon refugjatët nga Italia

Shkak, refuzimi i Italisë për transferimin e refugjatëve nga Gjermania

Gjermania nuk do të pranojë refugjatët nga Italia, nën Mekanizmin për Solidaritet Vullnetar Brenda Bashkimit Evropian.

Kështu kanë deklaruar nga Ministria e Punëve të Brendshme të vendit, pasi u tha se ky vendim është marrë pas refuzimit të Italisë për transferimin e refugjatëve nga Gjermania, raporton DW, përcjell albinfo.ch.

Ndërkaq, shtetet e Bashkimit Evropian janë të obliguara të përmbushin obligimet dhe Gjermania do të vazhdojë të pranojë refugjatë nga Italia sapo të ndryshojë situata.

Kjo marrëveshje vullnetare synonte të lehtësonte barrën mbi vendin kufitar jugor të BE-së, por Ministria e Brendshme e Gjermanisë tani e ka ndërprerë atë për shkak të, siç u tha, “presionit të lartë migrator”.

Sipas marrëveshjes, Gjermania të pranonte 3,500 azilkërkues që kishin hyrë për herë të parë në BE në Itali dhe kjo kishte për qëllim të lehtësonte situatën në Itali, e cila vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të hyrjes në BE për emigrantët.

Para se të ndalonte marrëveshjen, Gjermania pranoi 1700 persona.