Lajme

Gjermania rrezikon ulje ekonomike për shkak të krizës së gazit

Gjermania do të përballet me një recesion nëse furnizimet e reduktuara të gazit nga Rusia ndërpriten plotësisht, paralajmëroi një organ i industrisë të martën, pasi Italia tha se do të ofronte mbështetje financiare për të ndihmuar kompanitë që të rimbushin depozitat e gazit, në mënyrë që të shmanget një krizë më e thellë në dimër.

Shtetet e Bashkimit Europian, nga Deti Baltik në veri e deri në Adriatik në jug, kanë marrë masa për të përballuar krizën e furnizimeve, pasi pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë energjinë që të shndërrohet në një mjet kryesor të betejës ekonomike midis Moskës dhe Perëndimit.

BE-ja mbështetej te Rusia për rreth 40% të nevojave të saj për gaz përpara luftës, një shifër që shkonte në 55% për Gjermaninë, duke krijuar kështu një boshllëk të madh tashmë në një treg ku furnizimet globale të gazit janë reduktuar. Disa vende kanë anuluar përkohësisht planet për të mbyllur termocentralet e qymyrit.

Çmimet e gazit kanë arritur nivele rekord, duke nxitur një rritje të inflacionit dhe duke shtuar sfidat për politikëbërësit që përpiqen ta shpëtojnë Europën nga një greminë ekonomike.

Shoqata e industrisë gjermane BDI uli parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2022 të martën në 1.5%, duke e rishikuar atë nga 3.5% që pritej të ishte përpara fillimit të luftës më 24 shkurt. Ajo tha se ndërprerja e dërgesave të gazit rus do ta bënte të pashmangshëm recesionin për ekonominë më të madhe të Europës.

Gazi rus vazhdon të dërgohet nga tubacionet që kalojnë përmes Ukrainës, por me një sasi të reduktuar, ndërsa gazsjellësi Nord Stream 1 që kalon nëpër Baltik, i cili është jetik për furnizimet në Gjermani, po punon me vetëm 40% të kapacitetit. Sipas Moskës, kjo ndodh për shkak se sanksionet e Perëndimit po pengojnë riparimet e këtij tubacioni. Europa thotë se ky është një pretekst për të reduktuar furnizimet.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, tha të martën se furnizimet e reduktuara përbënin një sulm ekonomik dhe ishin pjesë e planit të presidentit rus Vladimir Putin për të nxitur frikën.

“Ky është një dimension i ri,” tha Habeck. “Kjo strategji nuk mund të lejohet që të ketë sukses.”

Reduktimet kanë penguar përpjekjet e Europës për të rimbushur depot e magazinimit, të cilat tani janë rreth 55% të mbushura, për të arritur objektivin prej 80% në mbarë BE-në deri në tetor dhe 90% deri në nëntor, një nivel që do të ndihmonte bllokun të kalonte dimrin edhe nëse furnizimet reduktohen akoma më shumë.

Ministri italian i Tranzicionit Ekologjik, Roberto Cingolani, tha se Italia duhet të përshpejtojë përpjekjet e saj për të rimbushur depot e magazinimit dhe Roma duhet të shqyrtojë mënyrat se si mund të ndihmojë kompanitë që të financojnë blerjet e gazit për magazinim.

Një burim nga qeveria italiane tha se garancia shtetërore mund të ishte një opsion për të ulur koston e financimit.

“Gazi aktualisht është kaq i shtrenjtë saqë operatorët nuk mund të investojnë para për të,” tha Cingolani.

Çmimi standard i gazit për Europën arriti shifrën e 126 euro (133 dollarë) për megavat orë (MWh) të martën, më pak se piku i këtij viti prej 335 euro, por gjithsesi mbi 300% më i shtrenjtë krahasuar me një vit më parë.

“Kemi nje problem”

Italia, ashtu si dhe vendet e tjera, duke përfshirë Austrinë, Danimarkën, Gjermaninë dhe Holandën, kanë aktivizuar fazën e parë të paralajmërimit të hershëm të planit me tre faza për të përballuar një krizë të furnizimit me gaz.

Si pjesë e planeve të emergjencës të Gjermanisë, agjencia rregullatore e gazit Bundesnetzagentur përshkroi detajet e një sistemi të ri ankandi që do të nisë në javët e ardhshme, me qëllimin për të inkurajuar prodhuesit që të konsumojnë më pak gaz.

Kreu i Bundesnetzagentur ishte dyshues për faktin nëse furnizimet aktuale të gazit do të ishin në gjendje që t’i mundësonin vendit që të kalonte dimrin, megjithëse ai më parë tha se ishte shumë herët për të shpallur një emergjencë të plotë, ose fazën e tretë të planit të krizës.

“Siç është situata sot, ne kemi një problem,” tha presidenti i Bundesnetzagentur, Klaus Mueller, në një event për industrinë në qytetin gjerman të Essen.

Drejtori i përgjithshëm i RWE, ndërmarrjes më të madhe të energjisë në Gjermani, Markus Krebber, tha se Europa kishte shumë pak kohë për të dalë me një plan.

“Si do ta rishpërndanim gazin nëse do të kishim një ndërprerje të plotë të furnizimeve? Aktualisht, nuk ka asnjë plan për këtë … në nivel evropian … pasi çdo vend po shikon planin e tij të emergjencës,” deklaroi ai në të njëjtin event.

Çmimi i lartë i gazit në Europë ka tërhequr më shumë furnizime të gazit natyror të lëngshëm, por Europës i mungon infrastruktura për të plotësuar të gjitha nevojat e saj nga gazi natyror i lëngshëm.

Problemet me një prodhues të madh amerikan të gazit natyror të lëngshëm që ofronte furnizime për Europën e kanë përkeqësuar akoma më shumë situatën.

Europa po kërkon më shumë furnizime nëpërmjet tubacioneve nga prodhuesit e vet, si për shembull Norvegjia, dhe nga shtete të tjera, duke përfshirë Azerbajxhanin, por shumica e prodhuesve tashmë po arrijnë limitet e prodhimit.

Teksa kriza shtrihet në të gjithë Europën, edhe konsumatori i vogël, Suedia, i është bashkuar aleatëve europianë në shpalljen e fazës së parë të planit për krizën energjetike.

Agjencia shtetërore e energjisë tha të martën se furnizimet ishin ende në nivele të kënaqshme, por ajo po sinjalizonte “aktorët e industrisë dhe konsumatorët e gazit të lidhur me rrjetin perëndimor të gazit suedez, se tregu i gazit është i tensionuar dhe mund të lindë një situatë e përkeqësuar e furnizimeve me gaz”.

Suedia, ku gazi përbënte 3% të konsumit të energjisë në vitin 2020, varet nga furnizimet që vijnë nga Danimarka, ku objektet e magazinimit tani janë 75% të mbushura. Danimarka aktivizoi fazën e parë të planit të emergjencës ditën e hënë./ Reuters