Kosova

Gjuriq: “Trepça, krenaria jonë kombëtare”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka uruar Ditën e minatorëve për punëtorët dhe menaxhmentin e kombinatit të “Trepçës”, si dhe minatorët e tjerë.

Ai ka konstatuar se puna e minatorit është e rëndë, e rrezikshme, por mbi të gjitha e pastër, duke shtuar se minierat janë të ndërlidhura ngushtë “me zhvillimin e Kosovës, por edhe të tërë Serbisë”, dhe se “pa këtë kombinat, zhvillimi ekonomik në krahinën jugore do të ishte vështirë të imagjinohet”.

“Trepça, mbi të gjitha, është krenaria jonë kombëtare dhe pjesë integrale e progresit që e arrijmë në planin ekonomik, por edhe në të gjitha planet e tjera”, tha Gjuriqi në letrën dërguar minatorëve dhe menaxhmentit të kombinatit “Trepça” dhe shprehu besimin e tij se “do të përmbushë me shpejtësi sfidat përpara” dhe do të kontribuojë si deri më tani në zhvillim, “që do të jetë një inkurajim dhe një shtysë për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”, përcjell albinfo.ch.