Shkurt.ch

Me GPS, në ndjekje të abuzuesve të dyshuar të ndihmave sociale

Qeveria konsideron se vendosja e transmetuesit në fjalë përbën shkelje të detyrimit për mbrojtje të personalitetit

Kompanitë e sigurimit social, në rastet kur kanë dyshime të bazuara për mashtrim nga ana e të siguruarve, mund të fusin në veprim transmetuesit GPS për përgjim, shkruan srf.ch. Këtë qëndrim e ka prezantuar dhe mbrojtur në mbledhjen e tij të sotme Komisioni për Punë Sociale i Dhomës së Kantoneve të Parlamentit të Zvicrës.

Por, ky komision me qëndrimin e përmendur bie në kundërshtim me Këshillin Federal (qeverinë), transmeton albinfo.ch. Qeveria konsideron se vendosja e transmetuesit në fjalë përbën shkelje të detyrimit për mbrojtje të personalitetit.

Po ashtu edhe bazuar në qëndrimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg, në Zvicër mungon baza ligjore për përgjimin e të siguruarve. Bazuar mbi këtë qëndrim, kohë më parë, kompanitë që sigurojnë nga aksidentet dhe ato që sigurojnë në raste invaliditeti, ishin detyruar të ndërprisnin vëzgimin e të dyshuarve për abuzim me ndihmat përkatëse, ka shkruar edhe albinfo.ch. Fjala ishte për vëzhgim të bërë nga detektivët socialë, përmes fotografimit ose filmimit.

Por, me reforimimin e parashikuar të të drejtës së sigurimit social do të bëhet sërish i mundur vëzhgimi në fjalë.