Sport

Granit Xhaka: Le të fitojë më i miri

Të dy himnet i ndjej njësoj si të mitë. Unë sigurisht se ndjehem si shqiptar por kam vendosur të luaj për Zvicrën kështu që edhe këtë e bëj si profesionist dhe do ta jap maksimumin tim në lojë.

  • (KEYSTONE/Walter Bieri)

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Albinfo.ch: Meqë tani kur po e zhvillojmë bisedën kjo është më aktuale, pyetjen e parë po ua bëjmë lidhur me deklaratën tuaj se keni vendosur që përfundimisht të luani për Zvicrën. A ka ardhur ky vendim si rezultat i ndonjë presioni për t`u deklaruar?

Granit Xhaka: Jo, presion nuk ka pasur as prej Zvicrës e as prej Kosovës. Por, me këtë rast duhet thënë se si pikë e parë, ne ende nuk e dimë se a na lejohet apo jo, a kemi të drejtë të luajmë për Kosovën pra as nuk e dimë si do të rregullohet kjo. Për këtë arsye unë për momentin kam vendosur të luaj për Zvicrën por nuk e di se çfarë bëhet pas 4 ose 5 viteve.

Albinfo.ch: Por presioni mediatik? Ka pasur në mediat zvicerane ankesa se lojtarët me prejardhje shqiptare nuk po tregojnë lojalitet të mjaftueshëm ndaj kombëtares së Zvicrës etj. A ka ndikuar ndoshta kjo që të sqaroheni se mbeteni me Zvicrën?

G. Xhaka: Janë shkruar shumë gjëra, si gjithmonë që shkruhet gjithçka. Por jemi mësuar me këto dhe nuk ka pasur diçka që të më ketë bërë të mos ndjehem mirë në atë drejtim. Pra, po përsëris, nuk ka pasur presion.

Albinfo.ch: Është ndoshta rasti i vetëm në botë që dy vëllezër luajnë në një kampionat evropian për dy kombëtare kundërshtare, madje në ndeshjen e parë. Si do ta ndjeni veten, a mendoni se do ta keni problem këtë ballafaqim?

G. Xhaka: Është një ndjenjë shumë e keqe, shumë e vështirë, sidomos për neve të dy. Edhe në përgjithësi loja kundër Shqipërisë do të ishte e rëndë por në veçanti fakti që do të luaj kundër ekipit ku luan vëllai im, e bën këtë edhe më të vështirë. Por, më në fund edhe kjo është lojë, është përballje, ne jemi profesionistë dhe të dy do ta japim maksimumin, e le të fitojë më i miri.

Albinfo.ch: Po t`u dha rasti të shënosh gol kundër Shqipërisë, nuk do të hezitosh të shënosh?

G. Xhaka: Sigurisht, do të shënoj nëse më jepet rasti.

Albinfo.ch: Cilin rezultat e parashikoni për ndeshjen Shqipëri-Zvicër?

G. Xhaka: Unë them se Zvicra do të fitojë 2:0.
albinfo.ch: Pasi që ju dhe Taulanti do të luani kundër njëri tjetrit, a komunikoni në lidhje me ndeshjen, për shembull t`i tregoni për lëvizjet ose planet e lojës etj.?

G. Xhaka: Shikoni, fakti që luajmë kundër njëri tjetrit nuk do të thotë se ndryshojnë kontaktet në mes nesh, si vëllezër. Sigurisht ne vazhdojmë të komunikojmë sikur më parë dhe rregullisht. Ndoshta vetëm një ditë para ndeshjes nuk do të mund të kontaktojmë, gjithë kohën tjetër nuk ka ndalesa. Po ashtu është normale që ai të më tregojë dhe t`i tregoj edhe unë atij se si e kemi planifikuar lojën. Nuk e shoh problem këtë.

Albinfo.ch: Ju do të luani më 11 qershor me Zvicrën kundër Shqipërisë. Në fillim të ndeshjes do të ballafaqoheni me intonimin e himnit shqiptar dhe atij zviceran. Cilin himn e ndjeni më shumë?

G. Xhaka:Të dy himnet i ndjej njësoj si të mitë. Unë sigurisht se ndjehem si shqiptar por kam vendosur të luaj për Zvicrën kështu që edhe këtë e bëj si profesionist dhe do ta jap maksimumin tim në lojë.

Albinfo.ch: Këtë pyetje po ua shtrojmë duke njohur dashurinë tuaj dhe të babait tuaj për Shqipërinë, prandaj mendojmë se nuk do të jetë e lehtë për ju.

G. Xhaka: Sigurisht nuk është aspak e lehtë. Unë jam lindur në Zvicër ku dhe jam rritur por rrënjët i kam në Kosovë. Unë, pushimet e mia, verë e dimër tash mbi dhjetë vjet nuk i kaloj askund tjetër përveç në Kosovë. I kam lidhjet e forta familjare, i vizitoj gjyshin e gjyshen, axhallarët, dajët, tezet… Dhe, këto lidhje nuk ndryshohen nga sot-nesër. Me gjak dhe me ndjenja jam shqiptar, asnjëherë nuk e mohoj këtë dhe jam krenar me këtë përkatësi. Sidoqoftë, unë kam vendosur të luaj për Zvicrën dhe shumica e dinë arsyen.

Albinfo.ch: Keni deklaruar se duke mos luajtur për Kosovën ju u jepni shansin lojtarëve të rinj që janë ende në Kosovë për të luajtur për kombëtaren e re…?

G. Xhaka: Po, ashtu është. Sikur ne të gjashtët apo sa jemi lojtarë shqiptarë nga Zvicra të kalonim për Kosovën, pastaj edhe të tjerët që luajnë në vendet tjera evropiane, ne do t`ua mohonim një shans atyre futbollistëve te rinj e të talentuar të Kosovës.

Albinfo.ch: Si po e përjetojnë prindërit dhe familjarët tjerë ballafaqimin Tuaj dhe a janë ata për fitoren e Granitit apo Taulantit?

G. Xhaka:Në fillim ka qenë njëfarë tronditje por tashmë janë qetësuar. Pjesëtarët e familjes që jetojnë në Kosovë, sigurisht janë për Shqipërinë ndërsa prindërit janë “gjysmë-gjysmë”. Ata do të dëshironin që ndeshja të përfundojë me rezultat të barabartë. Por duhet të themi se për kualifikim, secilës kombëtare i nevojitet fitorja e lojës së parë…

Albinfo.ch: E njihni kombëtaren shqiptare: Cili është potenciali i Shqipërisë aktualisht?

G. Xhaka: Shikoni, po ta krahasoni Shqipërinë sot me atë të para disa viteve, ndryshimi është shumë i madh. Ka talente të shumta, në mesin e të cilëve shumë janë nga Zvicra. Prandaj mendoj se Kombëtarja Shqiptare ka bërë përparim të madh.

Albinfo.ch: Sinqerisht, cili jeni futbollist më i mirë: Ti apo Taulanti?

G. Xhaka:E kam thënë edhe herëve tjera: Taulanti!

Albinfo.ch: Si e përjetoni veten si një shembull i shqiptarit që luan për Zvicrën dhe shërben edhe si model sa i përket integrimit etj.

G. Xhaka: Do të ndjehesha mirë nëse shërbej si një shembull në atë drejtim por tash të gjithë nuk mund të jenë të kënaqur, ka gjithmonë kundërshtarë. Më duhet të them se ka qenë një presion i madh mediatik duke shprehur mosbesim ndaj nesh.

Ka pasur edhe deklarime në stilin: “Nëse nuk doni me ne, shkoni”. Por unë ju them atyre: çka do të bëhej me Zvicrën sikur të shkonim ne, shtatë veta. Pastaj edhe në grupmoshat tjera, në U 18, U 21 etj. ka aq shumë shqiptarë…

letemps5
Shkrim i botuar në gazetën Le Temps, në bashkëpunim me Albinfo.ch