Lajme

Grevë mbarëkombëtare në Francë, punëtorët e hekurudhave kërkojnë paga më të larta

Ndërprerje të konsiderueshme në transportin hekurudhor, ndërsa sindikatat protestojnë kundër kushteve të punës dhe liberalizimit të sektorit.

Punëtorët e hekurudhave në Francë kanë zhvilluar të mërkurën një grevë njëditore në mbarë vendin, e organizuar nga sindikatat, për të kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, përcjell albinfo.ch.

Aksioni sindikal ka shkaktuar probleme të mëdha në transportin hekurudhor, me anulimin e shumicës së trenave të shpejtë dhe linjave ndërurbane, duke ndikuar në lëvizjen e mijëra udhëtarëve në të gjithë vendin.

Paralelisht me grevën, protestuesit kanë marshuar në rrugët e Parisit, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj hapjes së sektorit hekurudhor për konkurrencën private, një proces që sipas sindikatave rrezikon të dëmtojë të drejtat e punëtorëve dhe cilësinë e shërbimeve publike.

Sindikatat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin ndaj autoriteteve nëse kërkesat e tyre për paga më të larta dhe kushte më të mira pune nuk adresohen nga qeveria dhe drejtuesit e sektorit hekurudhor./Albinfo.ch