Lajme

Guy Parmelin u zgjodh president federal i Zvicrës

Zgjedhja është bërë në Asamblenë Parlamentare, mbledhjen e përbashkët të dy dhomave të Parlamentit të Zvicrës

Këshilltari Federal  (ministri) Guy Parmelin  nga SVP/UDC u zgjodh pak çaste më parë President i ri Federal me 188 vota nga 202 të vlefshme. Po ashtu Ignazio Cassis (FDP) bëhet nënkryetar i Këshillit Federal.

Zgjedhja është bërë në Asamblenë Parlamentare, mbledhjen e përbashkët të dy dhomave të Parlamentit të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.

Parmelin si ministri i ekonomisë është sfiduar gjatë pandemisë së koronavirusit – dhe do ta udhëheqë Zvicrën po ashtu përmes krizës vitin e ardhshëm.

Prandaj, presidenti i ri Federal po e merr detyrën në një kohë jo të lehtë, vlerësojnë mediat zvicerane. Zvicra ndodhet në mes të pandemisë dhe numrat e infeksioneve po prekin ekonominë dhe popullsinë.

Paraardhësja e tij, Simonetta Sommaruga, në mënyrë të përsëritur kishte arritur të ngjallte optimizëm në konferencat e mediave të Këshillit Federal ose të thërriste popullsinë të qëndronte e bashkuar. A do të arrijë Parmelin gjithashtu të udhëheqë njerëzit me siguri përmes krizës?

Sidoqoftë: posti i presidentit të federatës është post reprezentativ, të cilun e merr për çdo vit njëri nga 7 anëtarët (ministrat) e Këshillit Federal.

Rreth presidentit aktual ka pasur vërejtje për nivelin e tij të njohjes së anglishtes, shkruan albinfo.ch. Kjo i është përmendur si dobësi që mund të reflektohet në ushtrimin e funksionit të presidentit, që kërkon përfaqësim të vendit në arenën ndërkombëtare. Por mbështetësit e tij kanë kundërshtuar se më shumë rëndësi ka puna përmbajtjesore e tij se sa paraqitja, gjegjësisht zotërimi i gjuhës angleze.

Mandati i tij përfundon saktësisht pas një viti.

Parmelin njihet si një zë më i moderuar në partinë e tij SVP/UDC, të njohur për qëndrim më të ashpër ndaj të huajve.

Ai ka dhënë prova për simpati ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër dhe ndaj Kosovës në përgjithësi. Në mbledhjen themelues të Odës Tregtare Zvicerne-Kosovare, të mbajtur në maj të vitit 2019, Parmelin ka folur gjerësisht për marrëdhëniet mes dy vendeve, për integrimin e sukseshëm të kosovarëve në Zvicër, mbështetjen zvicerane për Kosovën etj. Ai ka veçuar me atë rast rolin e madh pozitiv të platformës mediale albinfo.ch në të gjitha këto rezultate.