Kosova

Haradinaj nderon tenorin Ramë Lahaj

Ramë Lahaj është një ndër tenorët më të famshëm shqiptar, duke prezantuar shqiptarët në arenat ndërkombëtare.

Tenori gjatë ditës së sotme është pritur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Gjatë ditës pata nderin të takohem me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj me të cilin folëm rreth mundësisë së ndërtimit të sallës koncertale në Prishtinë në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Përpos bisedës konstruktive që patëm njëkohësisht, kryeministri me nderoi me medaljen, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për afirmimin e vlerave shqiptare në botë.

Jam jashtëzakonisht mirënjohës dhe krenar për këtë medalje dhe përkushtimin ndaj meje”, ka bërë të ditur Lahaj.

“Tenori prestigjioz, Ramë Lahaj, përpos që ka arritur majat personale të suksesit, ka lartësuar emrin e Kosovës në qendrat më të njohura kulturore në botë”, ka shkruar në llogarinë personale në Facebook, Haradinaj.

“Kënaqësi e veçantë të flisnim për angazhimin e tij të madh, ruajtjen dhe avancimin e vlerave kulturore dhe të këmbenim mendime rreth ndërtimit të sallës koncertale, e cila do të jetë strehë ku artistët do t’i shpalosin veprat e tyre”, ka përfunduar i pari i qeverisë së Kosovës.