Zhvillim

Helvetas, model aftësimi për punësimin rural në Kosovë

Kultivimi i mjedrës i llojit Miker dhe Polka në Komunën e Shtërpcës tashmë ka filluar të bëhet detyrë shtëpie. Falë ndihmës së HELVETAS-it, 84 përfitues kanë mbjellë nga 5 arë mjedër. Interesimi për këtë kulturë sa vjen e shtohet

Deri para disa vitesh kultivimi i mjedrës në Komunën e Shtërpcës, pothuajse nuk ka qenë fare i njohur. Në kuadër të projektit të Helvetasit APR (Aftësitë për Punësim Rural) sivjet, vetëm në Komunën e Shtërpcës, 84 përfitues, kryesisht të rinj, kanë ndjekur trajnimin për kultivimin e mjedrës dhe gjatë trajnimit kanë mbjellë nga 5 arë me mjedra. Disa syrësh kanë bashkuar tokat me qëllim të punimit më të lehtë, kurse disa (për shkak të largësisë nga ngastra në ngastër) kanë preferuar kultivimin e mjedrës secili në arën e vet.

Nga 7 grupe, gjashtë grupe me gjithsej 64 persona janë të nacionalitetit serb, kurse një grup prej 20 personash janë shqiptarë. Të gjithë anëtarët kanë përfituar prej projektit APR disa nga fidanët e mbjellë, kurse sistemi mbështetës dhe i ujitjes si dhe një pjesë e fidanëve janë investim i vetë anëtarëve të grupit. Këta kultivues vlerësojnë se në këtë biznes do ta inkuadrojnë gjithë familjen.

Cvetan Stevanoviq nga fshati Gotovushë, në 5 arë tokë ka mbjellë 650 fidanë të mjedrës, të llojit miker. Ai thotë se ky lloj mjedre mund të mbillet më shpesh sesa llojet tjera (në largësi prej 33 cm). „Natyrisht, nuk mund të mbijetojë familja ime vetëm nga ky prodhim, por bazuar në faktin që sjellin ekspertët, se nga 5 arë të mbjellë me mjedra, fitimi është i barabartë sikur nga 4 hektarë të mbjellë me grurë, atëherë ia vlen që të angazhohem vetë, e pse jo edhe e tërë familja ime“, thotë Stevanoviq.

Zheljko Nikoliq, zyrtar nga terreni i projektit APR shprehet të jetë i kënaqur me angazhimin e Helvetasit në komunën e tij, sidomos për faktin e ndihmës që kjo organizatë zvicerane po ia ofron  rinisë dhe fermerëve ekzistues në komunën e Shtërpcës, duke u mundësuar atyre punësim të drejtpërdrejtë në fusha të ndryshme. Pra, për çdo iniciativë për punësim që marrin të rinjtë e kësaj komune, Helvetas u del në ndihmë.

Interesim ka zgjuar edhe kultivimi i bletarisë. Dy grupe të interesuarish të rinj për kultivimin e bletarisë janë trajnuar nga ekspertët e bletarisë, përkatësisht nga Jovica Slaviq i Shtërpcës për grupin nga Vërbeshtica dhe Zhivce Sarkoçeviq për grupin nga fshati Berevce. 19 bletarë të rinj kanë përfituar prej Helvetas-it trajnimin si dhe nga një shoqëri bletësh dhe disa pajisje për kultivimin e bletarisë, përderisa përfituesit kanë vetinvestuar në sigurimin e koshereve (arkave), krejt kjo që trajnimi të përmbushë pjesën teorike dhe praktike.

Përndryshe, nga projekti APR, banorët e Shtërpcës kanë përfituar edhe në fushën e blegtorisë, por edhe në fusha të tjera. Ta zëmë një grup i të rinjve është në proces të ndjekjes dhe përfundimit të trajnimit për rritjen e derrave. Grupi ka 5 anëtarë, të cilët janë angazhuar edhe në renovimin e stallës ku do t’i vendosin bagëtitë dhe ku do të zhvillohet një biznes i vogël në fushën e prodhimit dhe përpunimit të mishit. Ky grup do të përfitojë disa nga pajisjet e nevojshme për rritje, kurse grupi i të rinjve do të marrin pjesë në renovimin e objektit dhe sigurimin e bagëtisë.  

Më tutje z. Nikoliq raporton për realizimin e projektit me fermerët ekzistues. Kryesisht janë mbështetur grupet e grave në zonat e thella rurale. Trajnime teorike dhe praktike janë ofruar për gratë e komunitetit shqiptar dhe atij serb. Gjithsej 230 pjesëmarrës (80% femra) kanë përfituar trajnime në fushat si: blegtori, bletari, bimë të malit dhe pemëtari. Përpos trajnimeve, APR ka mbështetur gratë me bashkinvestim në blerjen e pajisjeve për përmirësimin e cilësisë së djathit tradicional, po ashtu ka mbështetur gratë në sektorin e pemëtarisë, në hapjen e puseve për të siguruar ujitje për parcelat e tyre, dhe në fund investime të përbashkëta në përmirësimin e cilësisë së mjaltit. Kontributi i dhënë nga APR, do të ndihmojë gratë e këtyre zonave që të rrisin cilësinë e djathit, të rrisin sasinë dhe përmirësojnë cilësinë e mjedrës dhe, po ashtu, të krijojnë të ardhura të mira duke prodhuar dhe shitur mjaltë të njohur të komunës së Shtërpces.   

 „Ç’është e vërteta, ne gjendemi në një zonë shumë të favorshme edhe për turizëm, prandaj shpresoj që, në të ardhmen, Helvetas – Swiss Intercooperation do të orientohet edhe në këtë fushë, dhe jam i sigurt që do të ketë sukses, e me këtë do të përfitojë edhe popullata e këtushme. Sidoqoftë ne jemi të kënaqur me punën e Helvetasit në komunën tonë“, shpreh mirënjohjen ndaj Helvetasit dhe Zvicrës z. Nikoliq.

Pritjet për një realizim të suksesshëm të projektit APR në Shtërpcë, ashtu sikur edhe në tri zonat tjera të Kosovës (Kamenicë, Novobërdë dhe Dragash), janë shpresëdhënëse për vetë faktin sepse janë kushtet e përshtatshme – pasuritë natyrore, klima e përshtatshme, fuqia e re punëtore dhe, natyrisht, gatishmëria e Helvetasit për ndihmë.

Xhevdet Kallaba