Tematike

Heronjtë e Bulles-së: Shqiptari dhe senegalezi, më të shpejtë se zjarrfikësit

“Është e vetëkuptueshme të veproni menjëherë në një situatë të tillë. Do të fajësonim veten gjithë jetën po të mos vepronim siç vepruam"

Në mbrëmjen e të shtunës në një apartament në Bulle (Kantoni Freiburg) kishte shpërthyer një zjarr. Dy të rinj, njëri senegalez dhe tjetri kosovar, e shuan zjarrin para se të arrinin zjarrfikësit

“Isha duke e ngrohur vajin në enën për skuqje të patateve (friteuse)” thotë banuesi i apartamentit, shkruan nau.ch. “Kur desha të kontrolloja, ena ishte tashmë e mbuluar nga zjarri.”

Ai zgjon djalin e tij, i thotë të telefonojë policinë ndërsa vetë kërkon ndihmë nga fqinjtë. Alarmi shkon në polici rreth orës 21:50.

Por fqinji Olivier Lansana Camara (28 vjeçar) ishte i pari që nxitoi për të ndihmuar, para zjarrfikësve, transmeton albinfo.ch.  Ai nuk hezitoi asnjë sekondë: “Kam marrë në hyrje një aparat për fikje të zjarrit dhe kam vrapuar në kuzhinën e fqinjit tim. Fillova të spërkat drejt flakëve shkumën për shuarje. Papritur gjithçka u mbulua nga tymi”. Qiramarrësi rrëzohet për shkak të dyshemesë së rrëshqitshme.

Jashtë në parking është Florian Rexhepi (20) me të dashurën e tij në makinë. Familja e tij banon në katin e 3-të të banesës, përcjell albinfo.ch. Edhe Floriani nuk hezitoi për asnjë sekondë. Ai së pari mendon për nënën e tij. “Kam vrapuar shkallëve përpjetë. Kam trokitur në dyert e të gjitha apartamenteve”. Pasi ngjitet në katin e tretë ai i thërret nënës së tij që të dalë sepse kishte shpërthyer zjarr në ndërtesë.

Atëherë ai zbret në katin e parë, duke rrëmbyer një aparat të dytë për zjarrfikje.

Rexhepi sulet në banesën që po digjej. Ndërkohë, fqinji Camaro po ndihmonte qiramarrësin që kishte rrëshqitur në dysheme. Tashmë, tymi në apartament sa vinte e po shtohej më shumë, përcjell albinfo.ch. “Unë kisha vetëm një mendim: Më duhet patjetër ta shuaj këtë zjarr”, thotë Rexhepi.

Ai e mbulon gojën me trikon që kishte veshur pasi që, nga tymi, po kollitej gjithnjë më shumë.

Pas rreth tre minutash, zjarri tashmë është shuar. “Por ne na është dukur sikur të ketë zgjatur një orë”, thonë dy heronjtë e Bulle-së.

Një patrullë policie vjen në vend katër minuta pas thirrjes së urgjencës. Ndërsa, kur arrin ekipi i zjarrfikësve, zjarri tashmë është shuar.

Disa banorë kritikojnë se zjarrfikja mbërriti shumë vonë. Por komandanti i ekipit të zjarrfikësve thotë: “Ne ishim në vend tetë minuta pasi u mor alarmi. Kjo është brenda kornizës së zakonshme”, përcjell albinfo.ch. Po ashtu zjarrfikësit u kritikuan sepse gjatë aksionit u ka pëlcitur një tub i ujit dhe kështu uji është derdhur mbi makinat e parkuara aty pranë.

Ndërkohë, kuzhina ku plasi zjarri, është shkatërruar në tërësi

“Nuk e di kur do të riparohet kuzhina” thotë banuesi i apartamentit të djegur. “Por unë do të doja të falënderoja dy fqinjët e mi të rinj që më ndihmuan mua dhe familjen time me aq guxim.”

Dy heronjtë e Bulle-s u desh që, pas aksionit të tyre, të shkonin në spital për kontroll.

Ata reagojnë me modesti: “Është e vetëkuptueshme të veproni menjëherë në një situatë të tillë. Do të fajësonim veten gjithë jetën po të mos vepronim siç vepruam”.