Bota

I nxehti përvëlues kaplon SHBA-në

Temperaturat e larta dhe lagështia mund të shkaktojnë stres apo goditje nga i nxehti nëse nuk merren masa

Amerikanët të dielën kanë pasur një ditë shumë të nxehtë, ku temperaturat kanë shkuar deri në 38 gradë Celsius.

I nxehti përvëlues është shtrirë nga pjesa qendrore deri në brigjet e Atlantikut dhe ka prekur 150 milionë njerëz.

“Temperaturat që po shohim në qytetin tonë këto ditë, mund të jenë më të lartat në vite. Merreni situatën seriozisht”, ka shkruar në “Twitter”, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, transmeton TCH.

I nxehti do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa një sistem i presionit të lartë mbi atlantik, ka sjellë masa ajri subtropikale mbi vend, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi kombëtar i motit ka lëshuar paralajmërime për zonën e Uashingtonit dhe Baltimorës ku parashikuesit thonë se temperaturat do të jenë nga 35 deri në 38 gradë Celsius.

Temperaturat e larta dhe lagështia mund të shkaktojnë stres apo goditje nga i nxehti nëse nuk merren masa – paralajmërojnë ekspertët.