Lajme

India ndalon eksportin e grurit

SHBA dhe Europa nxitojnë për të përmirësuar zinxhirët e furnizimit me ushqime

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po shikojnë mënyrat se si mund të përmirësojnë zinxhirët e furnizimit me ushqime, pasi kufizimet e eksportit nga India dhe nga vendet e tjera po nxjerrin në pah problemet globale, tha për CNBC shefi i tregtisë së BE-së.

Ministrat e jashtëm të G-7 paralajmëruan gjatë fundjavës se lufta në Ukrainë po shton rrezikun e një krize globale të urisë. Kjo për shkak se Ukraina nuk ka qenë në gjendje të eksportojë drithëra, plehra bujqësore dhe vaj vegjetal, ndërkohë që konflikti po shkatërron edhe fushat e mbjella dhe nuk po lejon një sezon normal të mbjelljeve.

Kjo ka rritur varësinë për këto produkte ndaj vendeve nga pjesë të tjera të botës. Por, disa nga këto vende, të shqetësuara për furnizimet për vetë qytetarët e tyre, kanë vendosur kufizime për eksportet. Një shembull i tillë është India, e cila njoftoi të shtunën ndalimin e shitjes së grurit “për të menaxhuar sigurinë e përgjithshme ushqimore të vendit”.

“Kjo është diçka shumë shqetësuese,” tha të dielën Valdis Dombrovskis, shefi i tregtisë së BE-së, duke iu referuar këtyre masave të reja të eksportit.

“Ne u dakordësuam me Shtetet e Bashkuara për të bashkëpunuar dhe për të koordinuar qasjet tona në këtë fushë, sepse… si një përgjigje ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndaj rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të shqetësimeve për sigurinë ushqimore që erdhën si pasojë e kësaj lufte, vendet kanë filluar të marrin masa kufizuese për eksportet. Dhe ne mendojmë se kjo është një tendencë që vetëm sa do ta përkeqësojë problemin”, tha Dombrovskis.

Ai shtoi se këto masa, të tilla si ndalimi i Indonezisë për eksportet e vajit të palmës, “e bëjnë situatën edhe më keq”.
Kufizimet e eksporteve ka të ngjarë të rrisin çmimet e mallrave, dhe për rrjedhojë edhe kostot e ushqimit. Për BE-në, kjo është një çështje e mundësisë për të pasur ҫmime të përballueshme, shpjegoi Dombrovskis.

Lidhja transatlantike

SHBA-ja dhe BE-ja zhvilluan bisedime në Francë të hënën për Këshillin e tyre të përbashkët të Tregtisë dhe të Teknologjisë, ose TTC. Grupi u krijua në vitin 2021 për të rivendosur lidhjet transatlantike, pas tarifave tregtare dhe mosmarrëveshjeve të epokës së presidentit Trump.

Megjithatë, puna e TTC-së tani ka shkuar përtej fokusit të synuar, siç janë mungesat e gjysmëpërçuesve, duke inkorporuar dhe duke kërkuar zgjidhje edhe për çështjet aktuale gjeopolitike.

Takimi i parë i këtij këshilli, në fund të vitit 2021, u la në hije nga marrëveshja e SHBA-së për t’i shitur Australisë nëndetëse bërthamore – ku Canberra vendosi të anulojë një marrëveshje me Francën, duke shqetësuar kështu zyrtarët europianë. Tani, mbledhja e dytë ka të bëjë me goditjet e furnizimit në vazhdën e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Duke folur për CNBC të dielën, komisionerja e BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager, tha se ajo nuk e kishte menduar kurrë që TTC do të diskutonte në lidhje me sanksionet kundër Rusisë.
“Nuk e mendoja që kjo mund të ndodhte.
Mendoja se TTC do të fokusohej shumë më tepër në të gjitha çështjet e tjera… si, për shembull, si të koordinohemi për organizatat e vendosjes së standardeve, si të sigurohemi që të mund të krijojmë një koalicion për njerëzit që do të zgjidhen në këto organizata, si mund të punojmë për zinxhirët e furnizimit,” tha Vestager.

“Unë mendoj se me situatën gjeopolitike ku ndodhemi, edhe nëse nuk do ta kishim patur TTC, do të duhej ta krijonim atë,” tha Vestager.
Komisionerja e BE-së për konkurrencën u quajt dikur nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si “zonja e taksave” e Europës dhe shpesh kritikohej për sulmet ndaj kompanive të Big Tech. Megjithatë, ajo thotë se kohët e fundit ka vënë re një ndryshim në marrëdhëniet transatlantike.

“Gjërat janë shumë ndryshe tashmë krahasuar me atë që pamë 2, 4, 6 vjet më parë,” tha ajo.
Kur u pyet nëse pushtimi rus i Ukrainës shërbeu për të ringjallur lidhjen transatlantike, ajo tha: “Pa dyshim që mendoj kështu.”
“Kjo e ka bërë shumë të qartë se kombet që mendojnë njësoj, duhet të bashkohen,” tha ajo.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI