Lajme

Inflacioni në Gjermani, më i larti në 40 vjetët e fundit  

Çmimet e konsumit në ekonominë më të madhe të Europës janë rritur për shkak të shtimit të kostove të energjisë dhe të ushqimeve

Inflacioni në Gjermani u rrit me nivelin më të lartë të 40 vjetëve të fundit, duke arritur shifrën 8.8 për qind në muajin gusht krahasuar me një vit më parë. Kjo solli shtimin e thirrjeve për Bankën Qendrore Europiane që të përshpejtojë ritmin e rritjes së normave të interesit, në takimin e javës së ardhshme të politikëbërësve të saj.

Çmimet e konsumit në ekonominë më të madhe të Europës janë ndikuar kryesisht nga rritja e kostos së energjisë dhe të ushqimeve, duke shtuar kështu inflacionin me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me atë të muajit korrik, pavarësisht masave të fundit të qeverisë për të zbutur ndikimin e tij te familjet.

Këto shifra mbështesin thirrjet e anëtarëve të këshillit drejtues të BQE-së, të cilët kërkojnë që banka të jetë më agresive në politikat e saj ndaj rritjes së inflacionit. Ai ka arritur nivelin më të lartë që nga krijimi i euros 23 vjet më parë dhe pritet të jetë rritur akoma më shumë në gusht.

Disa persona, si shefi i Bankës Qendrore të Austrisë, Robert Holzmann, i kanë bërë thirrje publikisht BQE-së që të konsiderojë përshpejtimin e ritmit të rritjes së normës të interesit, nga një rritje fillestare prej 0.5 për qind në korrik, në një rritje prej 0.75 për qind në mbledhjen e javës së ardhshme.

Pasojat e pushtimit rus në Ukrainë kanë bërë që çmimet me shumicë të gazit dhe të energjisë elektrike të arrijnë nivele rekord në Europë gjatë javëve të fundit dhe kanë rritur koston e plehrave kimike dhe të mallrave të tjera bujqësore, të tilla si gruri.

Në gusht, çmimet e energjisë në Gjermani u rritën me 35.6 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve u rritën me 16.6 për qind. Inflacioni bazë, duke përjashtuar ushqimin dhe energjinë, u rrit me 3.1 për qind, nga 2.8 për qind që ishte në korrik.

Disa anëtarë të Këshillit drejtues të BQE-së shqetësohen për faktin se tronditja inflacioniste e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës është përfocuar akoma më shumë nga rritja e kërkesës pas rihapjes së ekonomive të Europës, me heqjen e kufizimeve të koronavirusit në fillim të këtij viti.

“Ekonomia ka rezistuar mirë dhe disa nga faktorët që ndihmuan në tremujorin e dytë ka të ngjarë të mbarten edhe në tremujorin e tretë”, tha Klaas Knot, guvernatori i Bankës Qendrore holandeze, duke folur në një event në Kopenhagë të organizuar nga Danske Bank të martën.

“Përhapja dhe thellimi i problemit të inflacionit sjell nevojën për të vepruar me forcë”, tha Knot, duke shtuar se ai priste që BQE të fillojë reduktimin e bilancit të saj deri në fund të këtij viti, duke emetuar bono gjatë tetorit ose dhjetorit.

Inflacioni në Gjermani vazhdoi të rritej pavarësisht masave të qeverisë, të cilat përfshijnë tarifat e reduktuara për faturat e karburantit dhe të energjisë, si dhe një biletë treni të subvencionuar prej 9 €. Shumë nga këto masa do të përfundojnë në muajin shtator, duke bërë të mundur që inflacioni të rritet akoma më shumë.

Joachim Nagel, kreu i Bankës Qendrore të Gjermanisë, paralajmëroi kohët e fundit se inflacioni këtë vit ka gjasa që të arrijë nivele dyshifrore për herë të parë që nga viti 1951 dhe parashikoi se çmimet do të rriteshin me të paktën 6 për qind gjatë vitit të ardhshëm.

Sondazhet e fundit me bizneset tregojnë se, që prej disa muajsh, problemet në furnizime kanë filluar të lehtësohen për kompanitë dhe shumë prej tyre po raportojnë rritje të inventarëve të produkteve të pashitura për shkak të rënies së porosive.

Por, Carsten Brzeski, kreu i studimeve makroekonomike në ING, tha se kjo nuk do të thotë që inflacioni do të fillojë të bjerë. “Edhe pse rritja e çmimeve si në industri, ashtu edhe në shërbime, duket se ka arritur pikun, ne ende presim që kjo rritje si pasojë e kostove më të larta do të zgjasë edhe për disa muaj të tjerë”, tha ai.

Shifrat e inflacionit në Gjermani – të kombinuara me rritjen e inflacionit në Belgjikë prej 9.9 për qind në muajin gusht, më e larta e 46 viteve të fundit – përforcuan pritshmëritë se rritja e përgjithshme e çmimeve në eurozonë ka të ngjarë të arrijë një rekord prej të paktën 9 për qind kur të publikohen të dhënat të mërkurën.

Megjithatë, agjencia e statistikave në Spanjë tha se inflacioni atje pati një rënie të lehtë, duke shkuar në 10.3 për qind në muajin gusht, pavarësisht se çmimet e energjisë elektrike, të ushqimeve dhe të paketave turistike u rritën me një ritëm domethënës. Inflacioni bazë në Spanjë, i cili nuk përfshin çmimet e ushqimeve të papërpunuara dhe të energjisë, u rrit me 6.4 për qind në muajin gusht krahasuar me një vit më parë, norma më e lartë që nga janari i vitit 1993./ Financial Times