E-Diaspora

Interesim i madh në Diasporë, për të luajtur në serialin “O Sa Mirë”

“O sa mirë”, pos aktorëve te zakonshëm, si befasi për shikuesit do të ketë edhe një klasë me studentë nga diaspora

Ora nuk kishte shënuar ende 13:30, kur filluan të vinin kandidatët që ishin lajmëruar për audicionin e parë të këtij lloji në Zvicër, për serialin tashmë të njohur “O sa mirë”.

Pra, sezoni i ri i “O sa mirë”, përveç aktorëve të zakonshëm, si befasi për shikuesit do të ketë edhe një klasë me studentë nga diaspora, ku edhe aktorët që do të luajnë në këtë klasë do të jenë po ashtu nga diaspora, shkruan albinfo.ch.

“Diaspora për diasporën”, është kjo motoja e aktorit dhe producentit të serialit për Diasporë, Ridvan Muratit, kur pyetet rreth kësaj risie në serial.

Sipas tij, diasporës shqiptare nuk i është dhënë asnjëherë një mundësi e tillë për të dëshmuar talentin që kanë.

Për Ridvanin, vendimi i producentëve për të bërë edhe një klasë në diasporë është i një rëndësie të veçantë. Pos interesimit dhe shikueshmërisë së diasporës për këtë serial, është edhe aspekti edukativ apo edhe përdorimit sa më të madh të gjuhës shqipe nga të rinjtë këtu.

Audicioni duhej të fillonte në ora 14:00, ndërsa deri në këtë kohë salla e pritjes ishte mbushur me pothuajse gjysmën e konkurrentëve nga afër 100 sa kishin aplikuar, transmeton albinfo.ch.

Mirëpo, krahas këtij numri të madh, kishte edhe kandidatë të shumtë nga pjesë të ndryshme të Evropës që kishin shprehur interesimin, por për shkak të distancës apo edhe arsyeve të ndryshme, nuk ia dolën të merrnin pjesë në audicion. Edhe pse audicioni u zhvillua në Zürich, kishte ca kandidatë nga Gjermania, Austria, apo edhe një zonjë që kishte marrë rrugën nga Londra, përcjell albinfo.ch.

Pjesëmarrësit vinin nga profesione të ndryshme, pasi që nuk ishte caktuar që duhet medoemos të jenë aktorë profesionistë. Por, numri i profesionistëve në këtë fushë, që provuan veten, nuk ishte për t’u nënçmuar.

Dikush qeshte e bisedonte me kandidatët tjerë, por kishte edhe nga ata që ishin të stresuar pak para përballjes me jurinë, apo edhe disa që përpiqeshin të koncentroheshin për pikat që duhej performuar.

Gjina Salihu Berisha nga Luzerni nuk dukej pothuajse aspak e mërzitur apo e shqetësuar që pak më vonë do të testohej nga juria. Në fakt ajo ishte shumë e entuziazmuar që po i jepet mundësia për të shfaqur aftësitë e saj në aktrim, ku shpreson se do të marrë njërin nga gjashtë rolet që do të jepen për klasën e diasporës.

E kur jemi tek juria, për të bërë përzgjedhjen e më të mirëve, personi më kompetent për këtë gjë ishte Erson Zymberi, që është regjisori i serialit. Për këtë rast ai kishe ardhur enkas nga Prishtina, ndërsa pjesë e jurisë ishte po ashtu edhe producenti për diasporë, Ridvan Murati.

Pas audicionit, që të dy ishin të mahnitur me kualitetin dhe përgatitjen që kanë ofruar shumë nga kandidatët. Duke pasur parasysh se ishte caktuar që të pranohen vetëm gjashtë aktorë, Ersonit dhe Ridvanit, pasi që kishin pa shumë talente, duket se iu shtua apetiti edhe për ndonjë aktorë më shumë.

Fikrim Morina, aktor me shumë përvojë në Kosovë dhe Zvicër, ishte po ashtu njëri ndër kandidatët. Ai pas audicionit, duke vlerësuar jurinë si shumë profesioniste, beson se me paraqitjen e tij në pikat e përcaktuara, ka rritur ta bindë jurinë me talentin e tij, e shpreson që të jetë njëri ndër kandidatët potenciale për “O sa mirë” në Diasporë, shkruan tutje albinfo.ch.

 

Edhe pse ishte informuar paksa me vonesë, Vetima Bujupi, kishte ardhur enkas nga Berna në Zürich për të kandiduar në audicion. Ishte një vendim spontan i saj për të kandiduar, edhe pse nuk ishte përgatitur aq shumë, marrë parasysh kohën e shkurtër, ajo megjithatë e sfidoi veten para jurisë. Pas audicionit, edhe pse nuk kishte shpresë të madhe, ajo megjithatë ishte e kënaqur me paraqitjen e saj, e po ashtu edhe me idenë e serialit për të inkuadruar të rinjtë nga diaspora, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet së për shumicën e kandidatëve, pjesëmarrja në audicion ishte hera e parë e tyre, ndërsa kishte ca prej tyre që këtë audicion e krahasonin me talent show të mëdhenj që zhvillohen anekënd botës.

Seriali “O sa mirë” është ndër projektet më të suksesshme në botën televizive në trevat shqiptare. E filluar në tetor të vitit 2013, deri më tash ka realizuar 145 episode të shpërndara në 4 sezone, ndërsa po bëhen gati për sezonin e pestë.

Ngjarja e serialit që zhvillohet në një kolegj me studentë e profesorë, është e ideuar për të mbledhur aktorë nga të gjitha trevat ku flitet gjuha shqipe, është ndër serialet më të popullarizuara shqiptare.

Ndërsa ideja për të përzgjedhur dhe formuar një klasë edhe në diasporë, është raportuar edhe nga dy mediume shumë të lexuara në Zvicër, siç janë “20 Minuten” dhe “Blick”, duke shkaktuar një bujë të madhe, gjë që është vërejtur edhe në klikimet apo edhe komentet rreth kësaj teme.

“O sa mirë në Diasporë” vjen si bashkëpunim i Gurmania në Kosovë, si dhe Plan K në Zvicër.