Bota

Italia, në alarm nga rritja e numrit të adoleshentëve shqiptarë

Për vitin 2019 minorenët e pashoqëruar shqiptarë kanë shënuar numrin e tyre më të lartë në statistikat e 3 vjetëve të fundit.

Ministria italiane e Punës dhe e Çështjeve Sociale jep alarmin për një rritje të theksuar të numrit të emigrantëve minorenë të pashoqëruar shqiptarë e kosovarë në Itali.

Për vitin 2019 minorenët e pashoqëruar shqiptarë kanë shënuar numrin e tyre më të lartë në statistikat e 3 vjetëve të fundit.

Në raportin e sapopublikuar me të dhëna të regjistruara deri më 30 qershor 2019, në Itali emigrantët minorenë shqiptarë të pashoqëruar nga prindërit e familja janë më të shumtit në numër, ndër të gjitha kombësitë e tjera të pranishme në territor. Ky fenomen shfaqet shumë shqetësues dhe për minorenët kosovarë, të cilët në krahasim me vite më parë janë rritur shumë.

Sipas të dhënave të këtij raporti, deri më 30 qershor të 2019 në Itali janë të regjistruar 7272 emigrantët minorenë të pashoqëruar, shifër që shënon një reduktim me 44.7% me një vit më parë, ku numri i tyre deri më 30 qershor 2018 ishte 13.151, dhe 59.3 % më pak se sa viti 2017, ku rezultonin 17.864 minorenë të pashoqëruar.

Por nëse në kuadrin e përgjithshëm ky fenomen shënon një përmirësim, pasi numri i minorenëve të pashoqëruar vjen çdo vit e reduktohet në Itali, krejt ndryshe paraqitet situata për ata me kombësi shqiptare e kosovarët, përcjell albinfo.ch.

“Për shumicën e kombësive të minorenëve të pashoqëruar, thekson raporti, ka një reduktim absolut të numrit të tyre në krahasim me vitin 2018 e me vitin 2017, me përjashtim të minorenëve që vijnë nga Shqipëria, Kosova e Pakistani. ku vëzhgohet një rritje e numrit të tyre në vlerë absolute”.

Deri më 30 qershor 2019 në Itali në strukturat që strehojnë emigrantët minorenë të pashoqëruar janë regjistruar 1 662 shqiptarë që përbëjnë 22.9% ndër 7272 që është numri i përgjithshëm i tyre.

Pas shqiptarëve renditen minorenët e ardhur nga Egjipti, Pakistani, Bregu i Fildishtë, Gambia e Guinea.

Minorenët e ardhur nga Kosova rezultojnë të jenë 377, renditen në vendin e shtatë në këtë raport.

Shumica e minorenëve shqiptarë strehohen pranë strukturave në rajonin e Toskanës. 66 prej tyre janë femra e 1586 meshkuj.

44.2% e emigrantëve minorenë të pashoqëruar në Italia janë të moshës 17 vjeç, 22.6% në moshën 16 vjeç, 10. 2% 15 vjeç, e rreth 23 % nën moshën 15-vjeçare.