Lajme

Itali: Rritje joshqetësuese e infektimeve me Covid-19

Shkalla e infektimeve me Covid-19 në Itali është sërish në rritje, sipas të dhënave të njoftuara nga Ministria italiane e Shëndetësisë.

“Që nga e enjtja, një mesatare mbarëkombëtare prej 34 rastesh për 100 000 banorë u regjistrua në shtatë ditët e mëparshme”, tha ministria në përditësimin e saj javor për COVID-19.

Në javën e kaluar shkalla e infektimeve 7-ditore ishte 29 raste për 100 000 banorë, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Ekspertët e shëndetësisë nuk e panë këtë rritje si shkak për alarm.

“Pandemia është ende nën kontroll në Itali”, tha eksperti Silvio Brusaferro, duke shtuar se përhapja e virusit ishte më e kufizuar se në vendet e tjera.

Të premten autoritetet regjistruan pothuajse 3 900 infeksione të reja COVID-19 dhe rreth 40 vdekje nga virusi brenda një dite.

Pothuajse 82 për qind e personave mbi 12 vjeç janë vaksinuar kundër COVID-19 deri tani.