Lajme

Izraeli rrit sulmet ajrore drejt Gazës

Sipas raporteve të fundit, Izraeli ka bombarduar Gazën me artileri dhe sulme ajrore në orët e para të 14 majit, si përgjigje ndaj raketave që janë nisur, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, ky shtet ka thënë se është duke grumbulluar trupat afër kufirit, ndërkohë që forcat ajrore dhe ato tokësore kanë sulmuar Gazën, në kuadër të dhunës që ka shpërthyer këtë javë dhe ka lënë të paktën 100 persona të vdekur në anën palestineze, përfshirë fëmijët, shkruan REL.

Ndërkohë shtatë persona kanë vdekur në anën izraelite.

“Kam thënë se do të nxjerim çmim shumë të ashpër për Hamasin dhe organizatat e tjera terroriste”, ka thënë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë të incizuar.

“Ne jemi duke bërë këtë gjë dhe do të bëjmë me forcë të madhe”.

Ushtria e Izraelit ka thënë në Twitter se artileria dhe sulmet ajrore kanë qenë pjesë e operacionit të vazhdueshëm kundër Hamasit, mirëpo më vonë ka sqaruar se trupat e saj nuk kanë hyrë në Gaza.

Një zëdhënës i ushtrisë së Hamasit ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit “është mundësi për të rritur numrin e ushtarëve dhe të burgosurve të vdekur të armikut, nën zotërimin tonë”.

Pa treguar shenja të uljes së tensioneve në konflikt, Izraeli është goditur nga dhunë e ashpër, pasi si arabët ashtu edhe hebrenjtë janë rrahur dhe stacionet policore janë sulmuar.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka urdhëruar rritje masive të përforcimeve për t’iu ndihmuar forcave të sigurisë që të ndihmojnë në ndaljen e trazirave të brendshme.

Në përleshjet arabo-hebreje të 13 majit në Lod, një person i armatosur ka shtënë me armë zjarri drejt një grupi të hebrenjve, duke plagosur njërin nga ta.

Zëdhënësi policor, Micky Rosenfeld, ka thënë se dhuna ka shpërthyer në disa qyteza, në nivele që nuk janë parë për dekada.

Një ditë më parë Izraeli është përballur edhe me një mori raketash të nisura nga Libani, çka ka kërcënuar hapjen e një fronti të ri të konfliktit në anën veriore të Izraelit.

Raketat kanë rënë në det.

Këshilli i Sigurimi i Kombeve të Bashkuara ka organizuar një takim më 16 maj për të diskutuar konfliktin, derisa presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se ka folur me Netanyahun për ulje të tensioneve, por edhe ka mbështetur liderin izraelit, duke thënë se “nuk ka pasur reagim të tepruar”.

Ai ka thënë se qëllimi tij është që “të arrihet në një pikë ku do të ketë ulje të shkallës së sulmit, sidomos sulmeve me raketa, të cilat janë duke u nisur në zona me popullatë civile”.

Në kohën e përshkallëzimit të tensioneve, ndërmjetësuesit nga Egjipti janë nisur në Izrael duke kërkuar arritjen e armëpushimit.

Egjipti shpesh shërben si ndërmjetësues në mes të Izraelit dhe Hamasit dhe ka qenë lojëtar kyç në dhënien fund të luftimeve në të kaluarën.

Sulmet ajrore kanë shkatërruar një mori ndërtesash, duke përfshirë tri të larta.

Izraeli ka thënë se në to kanë qenë militantë të Hamasit, mirëpo aty ka pasur edhe civilë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka thënë se numri i viktimave palestineze ka arritur në 109, përfshirë 29 fëmijë.

Sipas saj, prej 10 majit janë plagosur më shumë se 600 persona.

Ndërkohë në Izrael një 6-vjeçar është thënë të jetë në mesin e të vdekurve.

Izraeli është kritikuar ndërkombëtarisht për viktima civile.

Mirëpo ky shtet ka thënë se Hamasi është përgjegjës për rrezikim të civilëve duke u fshehur dhe duke nisur raketat nga zonat civile.

Përshkallëzimi ushtarak – më i rëndi në Gaza dhe Izrael nga viti 2014, është nxitur nga disa javë të pakënaqësive në zonën afër xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, vend i cili konsiderohet i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë.

Zemërimi është rritur edhe nga mundësia e dëbimit të disa familjeve palestineze nga një lagje në Jerusalemin Lindor.