Kosova

Kancelari gjerman: Jemi të angazhuar për liberalizim të vizave për Kosovën

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka thënë se do të angazhohet me këmbëngulje që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndodhë sa më shpejt.

Këtë deklaratë Scholz e ka bërë në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që kanë zhvilluar në Berlin.

“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizmin e vizave për Kosovën. Për këtë angazhohem në Bashkimin Evropian me këmbëngulje”, ka thënë kancelari gjerman.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka kërkuar nga kancelari Scholz që Gjermania të shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Edhe dy muaj bëhen katër vjet prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën për herë të dytë. Është koha të thuhet se mjaft është mjaft. Kjo çështje duhet të vendoset në Këshillin e BE-së, pasi Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, dhe është radha që edhe BE të kryejë detyrat e saj”, tha ai.

Pas takimit të Scholzit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Më herët, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.

Takimi i sotëm do të jetë i pari midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.