Integrimi

Kandidatët shqiptarë, aktivë edhe ditën e fundit para zgjedhjeve

 

Një ditë para zgjedhjeve të 18 tetorit për Parlamentin e Zvicrës, kandidatët me prejardhje shqiptare vazhdojnë të jenë aktivë. Shumica dërmuese e atyre që kanë vendosur të votojnë, këtë e kanë bërë, përmes postës. Por, pasi që votat në kutitë e votimit mund të hidhen edhe nesër, kur është dita zyrtare e zgjedhjeve, disa nga kandidatët shqiptarë e kanë shfrytëzuar këtë ditë pushimi që edhe njëherë të sensibilizojnë qytetarët për të votuar. Sikurse edhe deri tash, më aktiv është treguar Arbër Bullakaj, kandidati i SP/PS-së nga Kantoni St. Gallen. Shtabi i tij shumë aktiv zgjedhor i cili ka zhvilluar një fushatë shumë të fuqishme disa mujore, ka bërë edhe sot një aksion simbolik duke dalë në qytetin St. Gallenit, respektivisht në arealin e panairit të madh bujqësor Olma për të “rekrutuar” edhe votuesit e fundit për Arbrin.

Për nesër, shtabi i fushatës së tij ka organizuar tubim e koncert përmbyllës të angazhimit 5 muaj e gjysmë në mbeshtetje të Arbër Bullakajt.

Nga ana tjetër, Kështjella Pepshi, e cila kandidon nga Berna për partinë CVP/PDC ka ftuar të gjithë dashamirësit që t`i bashkohen në ndejën festive që zgjat gjithë ditën e  sotme, në një restorant në Bernë. “Të nderuar zonja dhe Zotërinj, votues të mi të nderuar, ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj shumë për mbështetjen, besimin dhe votën tuaj. Të dashur miq, ju njoftoj se ditën e shtunë të 17 tetorit 2015 e kam ndarë për gjithë ju që keni vendosur që më 18 tetor të votoni kandidaturën time për deputete në parlamentin e Zvicrës. Gjithsesi që në këtë moment historik vota juaj do te jetë historike! Merrni fletëvotimet me veti, nëse keni nevoje për fletëvotimeve te reja ato mund ti merrni ditën e enjte dhe te premten në Komunat tuaja! Te mirëseardhur jeni në çdo kohë gjatë ditës së shtunë, nga ora 10.00 deri 20.00”, thuhet në ftesën e Kështjella Pepshit.

Qëndresa Sadriu, po ashtu sot ka postuar në facebook disa fotografi nga aktivitetet që rrethi i saj shoqëror në Grlattbruck të Cyrihut ka organizuar për zgjedhjen e saj.

Zgjedhjet e sivjetme kanë tërhequr një numër shumë të madh të shqiptarozviceranëve për të kandidiuar për një vend deputeti. Janë rreth 30 sish, të shpërndarë në shumicën e partive parlamentare. Më së shumti ka në CVP/PDC dhe në SP/PS. Edhe angazhimi i shqiptarëve, si subjekte dhe si individë për të mbështetur këta kandidatë nuk ka qenë kurrë kaq i madh dhe i dukshëm

Nesër, më 18 tetor do të shihet nëse mundi dhe zelli i treguar do të shpërblehet.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI