Shkurt.ch

Kanë përfunduar negociatat mbi një kornizë referimi për koordinimin global të migracionit

Zvicra përshëndet miratimin nga shtetet anëtare të OKB-së të draftit "pakti botëror për migracion të sigurt, të rregulluar dhe të rregullt". Përfundimi i suksesshëm i negociatave paraqet një hap të rëndësishëm drejt vendosjes së standardeve të përbashkëta për të përmirësuar aspektet pozitive të migrimit dhe zbutjen e efekteve të tyre negative nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta. Zvicra dhe Meksika kryesuan procesin e negocimit, i cili përfundon me një rezultat pozitiv.

Në emër të kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ambasadori i Zvicrës në Kombet e Bashkuara në New York, Jürg LAUBER dhe homologu i tij meksikan, Juan José Gómez Camacho, kanë mbledhur gjatë 15 muajve të fundit idetë dhe përvojat e shteteve të ndryshme në fushën e migracionit dhe kanë krijuar një kornizë të parë të draftit për koordinimin e përgjithshëm të migracionit, të cilin ata ia dorëzuan komunitetit të shteteve për konsultim. Miratimi i këtij projekti nga shtetet anëtare të OKB-së shënon fundin e fazës së bisedimeve të paktit botëror për migracion (“Global Compact”). Teksti do të paraqitet për miratim te kryetarët e shteteve dhe qeverive të 193 shteteve anëtare në Konferencën Ndërqeveritare që do të mbahet në dhjetor 2018 në Marrakech të Marokut.

Në përfundim të negociatave globale të paktit, shtetet anëtare të OKB-së ranë dakord për një kornizë për veprim praktik, i cili forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në të gjitha fushat e qeverisjes së migracionit dhe ofron shqyrtim në planin afatgjatë, si dhe rishikimin e rregullt të çështjeve të migrimit në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Dokumenti përmban dhjetë parime (vlefshmëri të pakufizuar, të drejtat e njeriut për të gjithë emigrantët dhe të drejtën sovrane të shteteve për të përcaktuar politikat e migrimit të tyre, për shembull) dhe 23 qëllime me një listë të masave për arritjen e tyre. Qëllimet pasqyrojnë angazhimin e përbashkët të të gjitha shteteve dhe masat janë instrumente që ata mund të përdorin në mënyrë autonome sipas prioriteteve dhe kapaciteteve të tyre. Përveç kësaj, “Global Compact” është një dokument referimi për bashkëpunimin e zgjeruar mes shteteve, por edhe me aktorë të tjerë, si sektorin privat apo shoqërinë civile.

Nga këndvështrimi zviceran, përfundimi i negociatave për “paktin botëror për migracion të sigurt, të rregulluar dhe të rregullt” tregon se shtetet pranojnë se asnjëri prej tyre nuk mund të kontrollojë vetë fenomenin i një kompleksiteti të tillë. Kombet e Bashkuara janë forumi ideal për të trajtuar çështjen e migracionit në të gjitha dimensionet e tij, nga këndvështrimi global dhe përfshirës. Bashkëdrejtori i procesit të negociatave, ambasadori Jürg LAUBER, i ka mundësuar edhe Zvicrës të marrë pjesë në ballë të këtij proces të rëndësishëm të OKB-së që prek një çështje të rëndësishme të kohës sonë dhe për të ushtruar rolin e saj me kredibilitet brenda sistemit ndërkombëtar.