Koronavirusi: çast pas çasti

Vaud-i lehtëson masat e karantinimit

Ndonëse Vaud është kantoni me numrin më të madh të rasteve me koronavirus në Zvicër, ka marrë vendim që t`i lehtësojë masat e karantimit, duke u bërë kështu edhe kantoni i parë që merr një hap të tillë.

Deri më tani kantoni i Vaud-it kërkonte nga banorët e vet që të karantinohen për 10 ditë, në qoftëse kanë pasur kontakt me ndonjë të infektuar dhe ky vendim arsyetohej me qëllimin të thyrjes së zinxhirit të transmetimit nga një person te një tjetër,

Ky rregull  është në fuqi edhe në kantone të tjera.

Sidoqoftë, të enjten autoritetet shëndetësore në Vaud njoftuan se vetëm ata që jetojnë në të njëjtën shtëpi me një person pozitiv ose që kanë marrëdhënie intime me këtë person, u kërkohet të karantinohen.

Për të gjithë të tjerët, një karantinë ‘automatike’ nuk do të jetë më e detyrueshme, por do të vendoset rast pas rasti.

Vendimi nëse një person duhet të karantinohet, do të bazohet në llojin e kontaktit që një person kishte me individin e infektuar, thanë zyrtarët shëndetësorë, përcjellë albinfo.ch.

Për shembull, ata do të pyeten nëse është mbajtur një distancë prej të paktën 1.50 metrash dhe për sa kohë, nëse ka pasur një kontakt të ngushtë fizik, siç është një pije e përbashkët, apo ishte thjesht një drekë e ngrënë në të njëjtën tryezë në një restorant.

“Në varësi të përgjigjeve, ekipi përgjegjës për gjurmimin vendos nëse do të karantinohet apo jo”, tha mjeku kantonal i Vaud, Karim Boubaker, për televizionin RTS.

Ata që do të përjashtohen nga karantina do të duhet të vetë-monitorojnë, të ruajnë distancat e sigurisë, të mbajnë maskën kur është e nevojshme ose e detyrueshme dhe të testohen në simptomat më të vogla të Covid-19.

Sipas Boubaker, një nga arsyet pas lehtësimit të masave është lehtësimi i punëve për biznese.

Aktualisht, 2,000 njerëz janë në karantinë në kanton, nga gati 6,455 në të gjithë Zvicrën.

Kantoni aktualisht ka 221 infeksione për 100,000 njerëz, shifër më e larta në Zvicër.

Në listën e kufizimeve të reja janë kërkesa për të mbajtur maskë në të gjitha ambientet e brendshme, duke kufizuar tubimet private në 100 persona dhe mbylljen e klubeve të natës.

Rregullat nuk kanë ndryshuar për udhëtarët nga kombet me rrezik të lartë, të cilëve u kërkohet ende të bëjnë karantinë për 10 ditë pas mbërritjes së tyre në Zvicër./albinfo.ch