Kosova
Kë e frikëson Ushtria e Kosovës?
Roli i Forcave të Armatosura të Kosovës, të cilat pritet të dalin si rezultat i procesit të transformimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ditëve të fundit është bërë shkas i deklaratave të autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, të cilët shprehin qëndrime krejtësisht të kundërta lidhur me këtë rol.
Autoritetet e Kosovës, në vazhdimësi kanë deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës, në të ardhmen, do të jenë faktor i stabilitetit brenda për brenda Kosovës dhe për rajonin, ndërkohë që autoritetet e Serbisë i shohin këto forca si të rrezikshme për paqen dhe si faktor i destabilitetit në rajon.
Zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se qëndrimi i autoriteteve të Kosovës se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë faktor stabiliteti në rajon, është i bazuar.
“Së pari, është aftësim i Kosovës për mbrojtje, për politika të mbrojtjes dhe për operacionalitet të mbrojtjes, është barabarësi në Ballkan me shtetet tjera, është aftësim i Kosovës që të hyjë në bashkëpunim operacional me shtetet jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, sidomos në kohën e sfidave globale të sigurisë, me ato që quhen kërcënime hibride, me të cilat po ballafaqohet bota demokratike”, thotë Ramadani.
Ai shton se Kosova, me Forca të Armatosura, të cilat do të përbëhen nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, do të bëhet kontribuuese e sigurisë në rajon dhe jo vetëm konsumuese e sigurisë, pa e përjashtuar edhe aftësimin e kapaciteteve për reagim në emergjenca të caktuara, të mbrojtjes territoriale, por edhe në emergjenca rajonale, si dhe të jetë pjesë e operacioneve paqeruajtëse të NATO-s, në rajone të ndryshme të botës.
Në anën tjetër, zyrtarët e shtetit serb, kanë theksuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do ta rrezikojë paqen në rajon, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë, duke folur për mediet serbe, ka thënë se formimi i Ushtrisë së Kosovës është i rrezikshëm.
“Nuk do të donim që serbi të qëllojë mbi serbin, sepse për çka tjetër shërben ajo ushtri? Pse, a mos do t’i sulmojnë shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Maqedoni apo shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, me të cilët kufizohen? Kë do ta sulmojnë? Kjo ka kuptim vetëm nëse ata do të niseshin kundër serbëve dhe Serbisë”, ka deklaruar Vuçiq.
Deklarata të ngjashme ka pasur edhe nga zyrtarët tjerë të Qeverisë së Serbisë.
Por, sipas zëvendësministrit Ramadani, deklaratat e zyrtarëve serbë se Forcat e Armatosura të Kosovës do të shkaktonin destabilitet në rajon, i quan tërësisht të pabazuara.
“Janë deklarata plotësisht të paqëndrueshme, sepse, së pari, Kosova nuk ka asnjë pretendim territorial. Së dyti, Forca e Sigurisë së Kosovës në tranzicion, do të jetë forcë mbrojtëse profesionale dhe shumetnike dhe sipas standardeve të NATO-s. Për më tepër, se deklaratat e Serbisë janë të paqëndrueshme, dëshmohen me faktin se Kosova nuk synon të zëvendësojë KFOR-in, nuk synon të zëvendësojë prezencën e NATO-s në Kosovë edhe pas tranzicionit të FSK-së, që do të ndodhë së shpejti”, thekson Ramadani.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për Radion Evropa e Lirë se argumentet e autoriteteve të Kosovës se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë faktor stabiliteti, janë krejtësisht të qëndrueshme. Për këtë arsye, sipas tij, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura e ka edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n. Statusi civil i FSK-së, thotë Ibishi, e pamundëson integrimin rajonal, sikurse në Kartën e Adriatikut, por edhe më gjerë.
“Pa ndërrimin e misionit nga ai civil në mision ushtarak, kjo është krejtësisht e pamundshme. Mendoj që është koha e fundit, në konstelacion të zhvillimeve të mëtejme dhe prezencës kërcënuese të Rusisë në rajon, që domosdo të punohet që të arrihet deri te ky transformim. Kjo krijon një stabilitet në rajon dhe përfundimisht bien ato tendenca ruse dhe serbe se kjo krijon destabilitet”, vlerëson Ibishi.
Sidoqoftë, ai thekson se një nga arsyet pse Serbia kundërshton transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura është fakti se ushtria është një nga elementet qenësore të shtetësisë së një vendi, të cilat krijojnë identitetin, por edhe sigurinë e shtetit.
Megjithatë, zyrtarët e NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur qëndrimin se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, të cilat deri më tash janë refuzuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se në rast se ky refuzim i ndryshimeve kushtetuese vazhdon nga përfaqësuesit politikë të serbëve, në një moment të caktuar do të jenë të detyruar që ta mandatojnë Ushtrinë e Kosovës me ligj.
E-Diaspora
-
Dy motrat nga Kosova që vdiqën në aksident në Gjermani, varrosen nesër në Topanicë të Kamenicës Nesër, më 27 qershor 2026 u jepet lamtumira e fundit dy motrave të ndjera, Erza dhe... -
Bad Vöslau, Austri: Skulptori Destan Gashi hap ekspozitën e tij në natyrë -
ABSM përmbylli me sukses semestrin me “Sommer Apéro 2026” në Basel -
Danimarkë
Një tjetër sukses akademik nga Danimarka: Marigona Luma diplomon në Universitetin e Kopenhagës -
Suedi
Aida Birinxhiku vlerësohet ndër figurat më të fuqishme të politikës suedeze
Jeta në Zvicër
-
Si po e ndryshon vapa Zvicrën Sot në Zvicër, ka pesë deri në gjashtë herë më shumë ditë të nxehta në vit... -
EDA: Nuk ka informacion për viktima zvicerane nga tërmeti në Venezuelë -
Zvicra përjeton një tjetër “natë tropikale”, temperaturat nuk zbresin nën 20°C -
Zvicra merr masa emergjente për shkak të valës së të nxehtit -
Shkrirja e akullnajave zvicerane po përshpejtohet, ekspertët japin alarmin











