Tematike

Kërkohet punëtor që është zviceran autokton dhe që “ha mish derri”

Pas kësaj shpalljeje të botuar në gazetën lokale gratis “Willer Nachrichten”, veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i forumit të Migrantëve brenda SP-së në St. Gallen, drejtuar nga Bujar Zenuni

Një shpallje e një vendi të lirë pune, e bërë nga një firmë në Kantonin St. Gallen ka shkaktuar pakënaqësi me tekstin e saj që kufizohet me racizmin. Ndër të tjera, firma “Schärer Transport AG” në Rossrüti të St. Gallenit kërkon që punëtori i saj i ri të jetë “Eidgenosse” (zviceran autokton) dhe të hajë mishin e derrit, shkruan “St.Galler Tagblatt”.

“Ne kërkojmë një zviceran autokton që përshtatet në ekip, si shofer kamioni me AH nga regjioni Wil ose rrethina e afërt. Si ndërmarrje familjare ne i kushtojmë rëndësi raporteve të mira mes vete dhe ulemi ndonjëherë me dëshirë së bashku në përfundim të orarit të punës pranë një bifteku të derrit ose servelave”, thuhet në shpallje.

Pas kësaj shpalljeje të botuar në gazetën lokale gratis “Willer Nachrichten”, veçanërisht i ashpër ka qenë reagimi i forumit të Migrantëve brenda SP-së në St. Gallen, drejtuar nga Bujar Zenuni, transmeton albinfo.ch. Ky i fundit në një reagim të tij të bërë në facebook në emër të forumit që drejton, ka numëruar pikë për pikë kërkesat absurde të shpalljes në fjalë dhe i ka komentuar ato.

Mes tjerash ai godet pikat ku punëdhënësi kërkon që kandidati për punësim të ketë mbaruar shkollimin patjetër në Zvicër, gjegjësisht përjashton ata me diploma nga të gjitha shtetet tjera të botës. Ndërsa një pikë më pas, kur bëhet fjalë për  zanatin ose kualifikimin e mbaruar, punëdhënësi bëhet më “zemërbutë”. Diploma e zanatit është optimale por jo e dosmosdoshme, përcjell albinfo.ch. Nga kjo lihet të kuptohet se një “Eidgenosse” që ka qenë nxënës i dobët në zanat është më i preferuar se një migrant me sukses të shkëlqyer.

Por, pika që ka merituar fokusimin më të madh të këtij reagimi dhe të gjithë pakënaqësisë që ka rezultuar nga kjo shpallje, është ajo me mishin e derrit. Duke e goditur këtë pikë, Forumi i Migrantëve shkruan: “Kjo është mbase shpallja e parë për vend pune, e cila përmend në mënyrë eksplicite se çfarë duhet ngrënë pas përfundimit të punës. Dhe kjo u dërgon një sinjal të qartë  hebrenjve, myslimanëve ose vegjetarianëve, qofshin ata “Eidgenosse” ose jo, se nga ta pritet të hanë të njëjtin ushqim”.

Forumi për Migrantë i SP-së së St. Gallenit ka kërkuar nga udhëheqja e Schärer Transport AG që të shprehet rreth shpalljes në fjalë dhe të kërkoj falje publike për tekstin diskriminues.

Por, Petra Schärer bashkëdrejtuese e firmës, në prononcimin e saj për gazetën Tagblatt” kundërshton akuzat për racizëm. Ajo thotë se është çdo gjë tjetër përveç se raciste. Në të kaluarën po edhe sot, firma ka punësuar njerëz nga kombe të ndryshme, transmeton albinfo.ch. “Flokëtarja ime është turke, njëra nga shoqet e mia më të mira është polake. Unë nuk kam të bëj absolutisht asgjë me racizmin”, thotë ajo. Kështu, sipas saj, nocioni “Eidgenosse” në shpallje ka dalë më tepër si shaka dhe nuk është menduar seriozisht. Ndërsa për biftekun e derrit dhe servelat, ajo thotë se janë ushqimet e preferuara në rastet kur bëjnë grill (zgarë).

Por për Alma Wiecken, drejtuese e Komisionit Federal kundër Racizmit (EKR) kjo gjë nuk është aspak për të qeshur, transmeton albinfo.ch. Sipas saj, përmbajtja e shpalljes është problematike. “Përmes theksimit se kërkohen eksluzivisht “Eidgenosse”, pastaj përmes kërkesës që aplikuesi të ketë të mbaruar shkollimin në Zvicër dhe përmes ndejës me mish derri, mund të nxirret përfundimi se grupe të caktuara të popullatës në këtë shpallje duhet të jenë të përjashtuara”, thotë ajo. Shpalljet në të cilat grupe të caktuara përjashtohen në mënyrë eksplicite për shkak të etnisë së tyre, religjionit ose ngjyrës së lëkurës, përbëjnë shkelje të normes penale të racizmit. Lidhur me to mund të bëhet kallëzim penal por mbi bazë të ligjit te të drejtës civile është e vështirë të veprohet kundër tyre, shprehet Alma Wiecken nga EKR