Kosova

Kishte biletë false, mërgimtari mbeti në aeroportin e Düsseldorfit

Duket se ardhja në Kosovë i kushtoi mërgimtarit gati trefishi i parave, pasi u mashtrua me një biletë joekzistente nga një kompani e shitjes së biletave, përcjell albinfo.ch.

Me vetëm 185 euro, kosovari kishte prerë biletën dydrejtimëshe Dusseldorf – Prishtinë dhe Prishtinë – Dusseldorf nga ”Sky Ticket”, kompani kjo të cilën e kishte gjetur në rrjetin social Facebook.

Me gëzimin që po vinte në Kosovë dhe se kishte gjetur biletë me çmim të mirë, më 26 nëntor, ai u nis për në aeroport.

Por buzëqeshja iu ngri te sporteli, kur punëtorja e aeroportit i kumtoi lajmin se bileta të cilën e posedonte ishte false.

Mërgimtari, i cili deshi të mbetej anonim, në rrëfimin e tij për Kiksin ka thënë se komunikimi me ”Sky Ticket” dukej aq korrekt saqë nuk i ngjallte frikën e dyshimit se edhe mund të ishte mashtrim.

Prezantimi i kompanisë në Facebook dhe mënyra se si ishte kumtuar fluturimi konkret në postimet e saj, mërgimtarit nuk po i lënin asnjë fije dyshimi se e gjitha kjo mund të ishte një skemë mashtrimi.

Mërgimtarit, të cilit nuk po i besohej se kishte rënë pre e mashtrimit të një kompanie, me të cilën kishte pretenduar se ka pasur raport korrekt të shitblerjes së biletës, filloi t’i bie numrit kontaktues të ”Sky Ticket”.

Telefonin nuk po e hapte askush, e në ndërkohë nga presioni se ishte mashtruar dhe po qëndronte para sportelit me një bilete false, mërgimtari reagoi dhe pagoi për një biletë të re.

Nga 29 nëntori, e mërkurë e deri të hënën, viktima e ”Sky Ticket” priti për një përgjigje. Dhe kur më në fund e mori, shpresa iu kthye se të paktën ato 185 euro do t’i kthente prapa.

Mirëpo mashtrimi zinxhiror vetëm po vazhdonte. Paratë nuk i pa kurrë.

”Sky Ticket” u sigurua që të ndërpriste çdo kontakt me mërgimtarin, duke e bllokuar llogarinë e tij dhe kështu duke pretenduar se presioni për mashtrimin e bërë do të merrte fund aty.

Mërgimtari kosovar i gjetur në një terren mashtrimi dhe humbje parash, vendosi që kompaninë të cilës dukej se nuk po i bëhej shumë vonë, ta bëjë publike kudo në rrjet, në mënyrë që të tjerët mos të binin pre e mashtrimeve të tyre.

Me kalimin e ditëve, shpresa e kosovarit se paratë e tij do t’i kthehen, po zbehet.

Ndonëse tashmë është kthyer në Gjermani, ai në rrëfimin e tij për Kiksin ka thënë se në vizitën tjetër në Kosovë, do të trokasë në dyert e Policisë së Kosovës që ta raportojë mashtrimin.