Kosova

Koronavirusi dhe Gjarpri

Koronavirusit dhe Gjarprit do t`u vijë fundi, pas dëmeve monstruoze që i bënë shoqërisë. Antidotin për Gjarprin e gjeti vetë populli i Kosovës në tetor 2019, duke votuar masivisht ndryshimin. Ai me shokë mundet, në këtë kaos, t’ia uzurpojë lirinë popullit të Kosovës, por vetëm përkohësisht deri sa të mbretërojë pandemia

Koronavirusi duket te jetë aleati më i madh që do të mund të ndihmonte, në këtë  kontekst para kapitullimi, Hashim Thaçin, (të njohur me nofkën “Gjarpr”) dhe shokët e tij. Në fakt, ky virus tinëzar që ngjan me metodat e gjarprit, i mundësoi atij të aksionojë planin e grushtshtetit, ngase e tërë popullata e Kosovës po e ndjek me mllef këtë mocion (lexo puç) që ai po realizon përmes marionetave që ka në kontroll, në LDK. Në këtë moment apokalipse, populli kosovar po ashtu i lidhur në shtëpi sikurse tërë bota, nuk mund të dalë ta mbrojë vullnetin e tij. Zhurma e tenxhereve nuk po bën punë ngase si duket plani i tij ogurzi nuk do të ndalet.

Ky puç iu mundësua Hashim Thaçit falë disa faktorëve me peshë. Ndër të parët, është qëndrimi krejtësisht absurd dhe kundërproduktiv i administratës Trump dhe emisarit të sajë kontrovers Richard Grenell. Politika e kësaj administrate qartazi është në funksion të interesit parazgjedhor të presidentit Trump, i cili ka nevojë për të shënuar një sukses në politikën e jashtme në botë, pas fiaskos totale në politikë të jashtme dhe sidomos tani me menaxhimin kaotik të pandemisë. Me Kosovën, ai synon ta mbyllë kapitullin e intervenimit amerikan si një storje suksesi, me një marrëveshje (jopublikisht, taashmë të nënshkruar) mes dy figurave të mafies serbe dhe asaj kosovare. Kjo marrëveshje rezulton me shkëmbim të territoreve dhe dëmtim historik të interesave shqiptarë. Ky inxheniering politik i kësaj administrate sakrifikon një qeveri kosovare të sapozgjedhur, me integritet dhe aftësi të dëshmuara, në një situatë ekstrem të vështirë, sidomos për t`i bërë ballë, si vend i varfër, kësaj pandemie botërore. Kjo politikë reflekton një paradoks të madh ngase finaliteti që kanë ndjekur që me vite paraardhësit e presidentit aktual amerikan, ka qenë ndërtimi i një shoqërie shqiptare të zhvilluar, stabile, demokratike, me institucione funksionale dhe transparente.

Përpos SHBA-së, Hashim Thaçin e ndihmon edhe një faktor tjetër me peshë, respektivisht Serbia. Shtrohet pastaj pyetja si është e mundur kjo, që një figurë e luftës së U Ç K-së, tani ti shesë interesat shqiptare? Hashim Thaçi po vepron me aq dinakëri për këtë grushtshtet aktual dhe dëmtim të interesave të kombit shqiptar (pra në favor te interesave serbe), për t`i shpëtuar Hagës. Këtë ia mundëson presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Ky i fundit, putinist, nuk do t`i aktivizojë provat që ka kundër Hashim Thaçit dhe jaranëve të tij, në shkëmbim të dëgjueshmërisë së tyre, dhe ndoshta do të pranojë të nënshkruajë publikisht një marrëveshje të cilën Hashim Thaçi do ta konsiderojë karshi opinionit publik shqiptar si fitore historike me Serbinë. Puçi i tanishëm me mocionin e LDK-së do ti vijë në ndihmë zyrtarizimit të marrëveshjes sekrete me Vuçiçin, gjë që edhe e dëshiron administrata e Trumpit. Ky hap, po ashtu do të shpëtojë Gjarprin nga drejtësia e Kosovës (pas humbjes së imunitetit) përmes ngufatjes së demokracisë kosovare dhe mbajtjes së pushtetit me metoda mafioze, duke e shndërruar Kosovën në një Banana republikë. Po e njejta strategji e mbijetesës dhe ikjes së përgjegjësisë nga hajnitë monumentale praktikohet edhe nga miqtë e Lëvizjes dhe bashkëithtarëve të Xhaxhit Enver, Ali Ahmeti (Abazi) dhe Musa Xhaferi në Maqedoninë veriore. Te dytë, sikurse Hashim Thaçi, synojnë të mbajnë pushtetin deri në vdekje, duke eliminuar çdo opozitë të mundshme shqiptare.

Së fundi, një segment i tretë e ndihmon Hashim Thaçin: janë marionetat në LDK, të cilëve ua ka zëne bishtin me derë. Sikurse Vuçiçi Hashimit, edhe Hashimi Isa Mustafës e Agim Veliut, që kanë plot dosje kriminale të korrupsionit, kur të dy dhe shokët e tyre ishin në pushtet. Prandaj, mocioni kundër Albin Kurtit (lexo edhe kundër Vjosa Osmanit) që këta tenorë të LDK-së (të pazgjedhur në zgjedhjet e fundit) ia sigurojnë Hashim Thaçit, është shpëtim nga drejtësia kosovare edhe për ata vetë, kur një ditë ajo do të fuqizohej dhe pavarësohej shteti i të drejtës, nëse Albin Kurti dhe Vjosa Osmani mbesnin në pushtet.

Por një gjë është e sigurt: Koronavirusit dhe Gjarprit do t`u vijë fundi, pas dëmeve monstruoze që i bënë shoqërisë. Antidotin për Gjarprin e gjeti vetë populli i Kosovës në tetor 2019, duke votuar masivisht ndryshimin. Ai me shokë mundet, në këtë kaos, t’ia uzurpojë lirinë popullit të Kosovës, por vetëm përkohësisht deri sa të mbretërojë pandemia. Epilogu pra dihet. Por, sikurse për koronavirusin, pas ilaçit do të duhet te gjendet edhe vaksina, në mënyrë që kurrë më viruset apo helmuesit e demokracisë të mos mund të vijnë në pushtet në hapësirat shqiptare.