Lajme

Kosova debuton me dy skitarë në Olimpiadën për të rinj “Lozana 2020”

Kosovën do ta përfaqësojnë dy skitarët e stilit alpin të skijimit: Era Shala dhe Drin Kokaj

Ekipi Olimpik i Kosovës do të debutojë muajin e ardhshëm në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj, “Lozana 2020”, të cilat mbahen prej 9-22 janar 2020 në Lozanë të Zvicrës.

Kosovën do ta përfaqësojnë dy skitarët e stilit alpin të skijimit: Era Shala dhe Drin Kokaj, të cilët e kanë fituar edhe zyrtarisht të drejtën për të garuar në LOD për të Rinj “Lozana 2020”.

Shala dhe Kokaj, të dy 16-vjeçarë, janë pjesë e Klubit të Skitarisë Prishtina.

Ata garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh, në të cilat do të paraqiten edhe në Lozanë.

Kosova do të jetë njëra prej 11 vendeve që do të debutojnë në edicionin e tretë të këtyre Lojërave. Pjesëmarrës në LOD për të Rinj “Lozana 2020” janë 1880 sportistë, prej tyre 940 meshkuj dhe 940 femra, të gjithë të moshës 15-18 vjeç, shkruan lajmi.net, përcjell albinfo.ch.