Sport

Kosova, ekipi i tretë

“Unë kam vendosur dhe nuk ka kthim prapa. Do të luajë për Kosovën dhe jo për Norvegjinë. Jam këtu për vendlindjen time. Jemi ekip shumë i ri, por i talentuar”, kishte thënë Bersant Celina, mesfushor në Manchester City. Kjo deklaratë shokoi mediat norvegjeze dhe ato evropiane, duke u habitur sesi është e mundur. Tifozët kosovarë ëndërrojnë një përgjigje të tillë nga futbollistët me prejadhje kosovare me famë sikurse Adnan Januzaj (Manchester United), apo pse jo Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, por kjo është pak e mundur. Megjithatë, kush është kjo skuadër që po flitet kaq shumë?

Përzgjedhës i ekipit të Kosovës është Albert Bunjaku. Ai ka hasur në shumë pengesa derisa ka formuar bazën e ekipit të Kosovës, duke kërkuar lojtarë nga mbarë Evropa dhe më gjerë dhe për t’i bindur ata që të vijnë të luajnë për Kosovën në ndeshjet miqësore, ende pa u pranuar nga FIFA. Shumica e lojtarëve të Kosovës luajnë pra jashtë Kosovës. Në ndeshjen e fundit u ftua portieri Flamur Neziri, i cili luan në Feronikel, kampionin e Kosovës.Kapiten është Samir Ujkani që mbron në Latina të Italisë, derisa nga Zvicra vijnë edhe Denis Markaj i Le Mont, Kristian Nushi, Alban Pnishi, Imran Bunjaku, Mërgim Brahimi të Grasshopperit, Hekuran Kryeziu i Luzernit. Ka edhe lojtarë që vijnë nga Gjermania si Fanol Përdedaj, Enis Alushi, Eroll Zejnullahu, Besar Halimi dhe Valmir Sylejmani. Nuk kanë sesi të mungojnë lojtarët nga Skandinavia, me Shpëtim Hasanin dhe Elbasan Rashanin, por ka edhe lojtarë tjerë si Loret Sadiku që luan në Mersin të Turqisë, Bernard Berisha në Anzhi të Rusisë, Avni Pepa në Islandë, por edhe nga Lindja e Largët, si Liridon Krasniqi që luan në Malajzi apo Erton Fejzullahu në Kinë.

“Më kanë treguar që bëhet atmosferë shumë e mirë këtu dhe e kisha ëndërr të luaja para tifozëve në vendlindjen time. Do t’i shfrytëzojmë stërvitjet për ta njohur njëri-tjetrin më mirë”, është shprehur ky i fundit.

Por, çka i shtynë ata të vijnë të luajnë për Kosovën? Një lojtar i cili ishte kontaktuar nga Shqipëria, por kishte luajtur për grupmoshat e Zvicrës është Mërgim Brahimi. Ai fitoi nofkën ‘tradhtar’ që nuk luajti për Shqipërinë, por tani është i lumtur që luan për Kosovën. “Federata Shqiptare më ta tradhtuar dhe më ka lënë në baltë. Ajo ishte arsyeja që kam thënë se nuk do të luajë më për Shqipërinë. Zvicrës i jam mirënjohës për mundësitë që m’i ka dhënë të rritëm, shkollohem dhe të bëhem futbollist profesionist, por tani jam i lumtur që kam luaj për Kosovën”, rrëfehet Brahimi, i cili luan në Grasshopper.

Kosova më 3 maj të këtij viti u pranua në UEFA dhe më 13 maj në FIFA. Para saj ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri – i vetmi lojtar shqiptar që kishte luajtur në kombëtaren e ish-Jugosllavisë, përndryshe i njohur si maradona shqiptar  – u shpreh se shumë gjenerata kanë punuar për këtë ditë. “Rrugëtimi ynë deri në anëtarësimin në UEFA dhe FIFA, jo vetëm që ka qenë i gjatë, por me plotë sakrifica. Janë sakrifikuar shumë breza. Por, që nga viti 2006 kur kemi pasur takimin e parë me presidentin e FIFA-s, Blatter, më nuk jemi ndalur. Është dashur shumë punë për ta bindur FIFA-n që të na lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore.

Sa i përket ekipit, ne kemi punuar shumë dhe sigurisht se presim përfaqësim dinjitoz.

Ne kemi pasur marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe kështu besoj se do të vazhdojnë. Sa i përket lojtarëve të Kosovës që luajnë për Kombëtaren e Shqipërisë, ne e kemi thënë vazhdimisht se është në dorën dhe vullnetin e vet lojtarëve që të vendosin se për kë do të luajnë. Por, Kosova është e hapur për të gjitha ata që dëshirojnë apo ndjejnë obligim ndaj vendit të tyre. Kosova ka potencial të madh për ta bërë një ekip përfaqësues të mirë”, deklaroi Vokrri. Kujtojmë që 13 lojtarë kosovarë luajnë për Shqipërinë, katër për Zvicrën dhe ka shumë të tjerë në Evropë, duke mbrojtur ngjyrat e Kombëtareve, pasi Kosova nuk ishte e pranuar.

Ndeshja e parë e Kosovës ishte ndaj Haitit 0:0 më 5 mars 2014 dhe tre muaj më vonë humbën nga Turqia 6:1. Këto dy takime u zhvilluan në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në veri të Kosovësm kurse fitorja e parë ishte më 7 shtator 2014 kundër Omanit. Lajmit të pranimit të Kosovës iu gëzua edhe mbrojtësi Alban Pnishi, i cili luan në Grasshopper. “Të gjithë jemi të lumtur që jemi pranuar, pasi kemi vuajtur shumë. Është herët të flasim për suksese, pasi ende nuk kemi zhvilluar asnjë ndeshje prej kur jemi pranuar. Por, ne shqiptarët njihemi si luftëtarë dhe do t’iu tregojmë forcën që kemi”, thotë Pnishi.

“Kosova është përballur me shumë probleme dhe vështirësi. Problemi më i madh pas pranimit mbetet stadiumi, Infrastruktura mbetet një thembër e Akilit për ne, por ne po punojmë në përmirësimin e saj. Po punojmë me ngulm që të aftësojmë për ndeshje ndërkombëtare stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe stadiumin e kryeqytetit . Krahas, kësaj po punojmë edhe në fillimin e ndërtimit të stadiumi kombëtar. Për të gjitha këto e kemi mbështetjen e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe përkrahja e tyre asnjëherë nuk ka munguar”, ka thënë legjenda kosovare e futbollit.

Ish-kapiteni i Kosovës, Anel Rashkaj, shpreson që paratë e fituara të shkojnë aty ku ka nevojë futbolli i Kosovës. “Shpresojmë që parat që hyjnë nga UEFA dhe FIFA t’i përdorin klubet e Kosovës për zhvillim dhe të përdoren qysh duhet, e jo në mënyra që nuk na ka hije. Tashmë pas pranimit duhet shumë punë dhe jo vetëm fjalë”, deklaroi A. Rashkaj.

Siç ka thënë analisti i njohur i futbollit kosovar, Arsim Plepolli, Kosova ka shumë talente dhe mund të jetë Brazili i Ballkanit. Tashmë një ekip është formuar dhe skuadrat e Evropës kanë drejt që ia kanë frikën, pasi Kosova ka shumë futbollistë që luajnë në ligat evropiane.

letemps5
Shkrim i botuar në gazetën Le Temps, në bashkëpunim me Albinfo.ch