Kosova

Kosova pritet të bëhet me trajner të ri në mars

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mbetur pa trajneri që nga shkarkimi i sllovenit Primozh Gliha nga kjo pozitë, përcjell albinfo.ch.

Janë përfolur shumë emra që mund ta zënë këtë pozitë, në mesin e tyre edhe austriaku Franco Foda.

Lidhur me këtë detaje ka dhënë kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Kosova do ta ketë trajnerin para fillimit të ndeshjeve të marsit, sigurisht. Tash për tash nuk kemi emër, por këta emra që janë përfolur nëpër media, deri tash është vetëm mediale”, tha ai.

“Ne i kemi dhënë objektivat tona dhe ofertat tona, tani i presim dhe jemi duke i shqyrtuar edhe projektet e tjera që na vijnë se cila të jetë përputhur ose e përafërt me objektivat tona, do ta zgjedhim”, theksoi Ademi.

I pari i FFK-së shtoi se nuk janë në presion për zgjedhjen e trajnerit shpejt, sepse i kemi vetëm ndeshjet miqësore.

Kombëtarja e Kosovës i ka aranzhuar tri ndeshje miqësore për t’u përgatitur për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

“Dardanët” do t’i kenë dy ndeshje në mars, më 22 mars do të luajnë si mysafire e Armenisë, derisa më 26 mars do të luajnë po ashtu mysafir ndaj Hungarisë.

Ndërkaq loja e tretë do të luhet në qershor, më datën 5 kombëtarja do të luajë në Oslo ndaj Norvegjisë.