Sport

Kthesa mund të ndodhë sonte në Yerevan

Shpresojmë që zhgënjimi ynë shpejtë do të marrë fund. Trajneri Gianni De Biasi së bashku me të përzgjedhurit e tij, sot në Yerevan të Armenisë do të shkruajë histori suksesi

Humbja e kombëtares sonë në ndeshjen e kthimit me Serbinë, në “Elbasan Arena” ka dëshpëruar të gjithë shqiptarët.

Një fije shprese për pjesëmarrje në Evropianin “FRANCA 2016 “ kombëtares shqiptare ia ka ringjallur Portugalia e cila si kryesuese e grupit ka mundur në Lisbonë përfaqësuesen e Danimarkës me 1:0.

Nëse analizohet situata e përgjithshme Shqipëria gjatë gjithë lojës me Serbinë, ka qenë në ankth sepse pesha e këtij takimi ka qenë e atillë që ka shkaktuar ndrydhje shpirtërore dhe organike tek trajneri Gianni De Biasi dhe tek lojtarët shqiptarë.

Serbia ka luajtur pakurrfarë ngarkese ngase ajo hapin për të qenë në Francë e ka humbur kaherë. Gjendjen para këtij takimi e ka tensionuar jashtë mase Beogradi, i cili pandërprerë ka trumbetuar me rrezik për jetën ardhjen e skuadrës serbe në Shqipëri.

Kjo propagandë ka bërë që shteti shqiptarë të marrë masa sigurie si asnjëherë më parë. Me këtë rast në emër të ruajtjes së një ambienti paqësor shqiptarëve u është cenuar e drejta e qarkullimit të lirë duke u bërë sikur me llupë edhe klasifikimi i tifozërisë. Përkundër gjithë këtyre   masave shtrënguese Kryeministri serb Vuçiq prapëseprapë gjen si pretekst një guralec të gjuajtur nga një dorë fëmije drejt autobusit serb. Ai këtë rast mundohet ta shndërrojë në sy të botës si një kërcënim serioz ndaj përfaqësueses së vendit të tij. Vuçiq nuk ndalet vetëm me kaq. Ai urdhëron Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kabinetit e tij që me urgjencë të nisë notë proteste ndaj Shqipërisë.

Mirëpo Z. Ilir Boçka Ambasador Fuqiplotë i Shqipërisë në Serbi tregohet i pjekur refuzon notën e protestës si të pabazë.  Vuçiq injorantë në fushën e diplomacisë i dëshpëruar nga refuzimi i notës jep urdhër që Z. Boçka një nga ambasadorët më përvojë të shtetit shqiptar të shpallet si person i padëshiruar ose në gjuhën diplomatike si person non-grata.

Mirëpo Vuçiq nuk di që me nenin 29 të Konventës së Vjenës, është e garantuar paprekshmëria e përfaqësueseve diplomatikë të çdo vendi. Ky rast dëshmon se Vuçiq nuk është njeri që ndërton ura ofrimi ndërmjet këtyre dy popujve me relacione të ashpërsuara ndër shekuj. Kur një kryeministër si Vuçiq mbanë të ndezur zjarrin e urrejtjes ndaj shqiptareve atëherë çfarë mund të thuhet për eksesin e mbrëmshëm në Cyrih , ku huliganët serbë gëzimin për fitoren e skuadrës së   tyre e kthyen në përleshje me disa të rinj shqiptarë . Me një Kryeministër si Vuçiq paqja ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve duket se është e parealizueshme.

Këta faktorë të mbledhur në një kanë bërë që lojtarët e kombëtares sonë të tregohen të vëmendshëm në çdo lëvizje.

Kryearbitri i kësaj ndeshje Nicola Rizzoli është mjaft meritor që ky takim përfundoi ashtu si duhet, sepse politika serbe ka bërë përpjekje që kjo ndeshje të jetë gjithçka tjetër vetëm lojë- JO- Arbitri Rizzoli e ka mbajtur nën kontroll çdo ndërhyrje të ashpër të palëve kundërshtare duke e ndëshkuar me kohë.

Një refer i përkryer futbolli si italiani Rizzoli është pasuri e madhe e UEFA-së. Më të tillë referë loja e futbollit bëhet edhe më joshëse.

Tifozëria shqiptare këtë humbje nuk duhet ta marrë si përmbysje të botës sepse dihet botërisht që Serbia në radhët e veta ka mbledhur lojtarët më të mirë. Shqipëria e izoluar nga vetvetja për gjysmë shekulli dhe e gjendur akoma në tranzicion ka bërë progres të madh në këtë drejtim. Dihet mirë se tubimi i lojtarëve më të mirë shqiptarë që luajnë nëpër kombëtaret e ndryshme të Evropës , ka qenë i pamundur.

Sikur i gjithë ky potencial të mblidhej në skuadrën shqiptare jo vetëm Serbia por çfarëdo kombëtareje tjetër do të shpartallohej.

Shumica e lojtarëve që na përfaqësuan deri me tani me dy-tri përjashtime luajnë nëpër skuadra të Ligës së dytë të Evropës.

Andaj suksesi i arritur nuk duhet nënvlerësuar. Djelmoshat e takimit të mbrëmshëm me gjithë dëshpërimin që na sollën nuk duhet të braktisën. Falë angazhimit të tyre dhe të trajnerit Gianni De Biasi , Shqipëria megjithë dështimet e kohëpaskohshme ka shënuar rezultate të kënaqshme. Shpresojmë që zhgënjimi ynë shpejtë do të marrë fund. Trajneri Gianni De Biasi së bashku me të përzgjedhurit e tij më 11 tetor 2015 në Yerevan të Armenisë do të shkruajë histori suksesi duke mposhtur kombëtaren e këtij vendi dhe duke siguruar pjesëmarrjen tonë në Evropianin “FRANCA 2016”