Shqipëria

Ku do të festojnë shqiptarët për Festat e Nëntorit?

Prej disa vitesh, shqiptarët zgjedhin të “festojnë” jashtë trojeve për Festën e Pavarësisë dhe Çlirimit

Vendet e preferuara janë ato të rajonit, për shkak të çmimit më të leverdishëm dhe afërsisë. Po këtë vit, si janë tendencat në kushtet e një pandemie botërore që po zgjat? Agjencitë turistike pohojnë se Shqipëria ka qenë preferencë e parë, ndjekur nga rajoni e Turqia…

28 dhe 29 Nëntori janë Festa Kombëtare, por edhe këtë vit, një pjesë e konsiderueshme shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë jashtë vendit, me një kërkesë që rritet çdo vit, pavarësisht pandemisë.

Një ndër arsyet kryesore që nxit këtë tendencë është çmimi i leverdishëm, sidomos në ofertat për vendet e rajonit. Rritja e vaksinimit të popullatës i jep mundësi që të udhëtojnë në destinacione që lejohen udhëtimet për arsye turistike. Jo rrallëherë raportohet që një pjesë e të rinjve janë vaksinuar pikërisht për këtë arsye: të udhëtojnë, raporton monitor, përcjell Albinfo.ch.

Kërkesat për të udhëtuar këtë vit i janë bashkangjitur dëshirës së shqiptarëve që vitet e fundit kanë qenë më të kufizuar prej rregullave të pandemisë dhe kryesisht kanë lëvizur brenda vendit. Të pyetura nga “Monitor”, agjencitë e udhëtimeve pohojnë se këtë vit, shqiptarët kanë zgjedhur të shkojnë në disa prej vendeve të rajonit, që kanë pasur oferta të kënaqshme.

Rezervimet më të shumta kanë qenë për Malin e Zi, për të cilin operatorët turistikë pohojnë se “janë mbyllur që tre javë më parë”. Nga “Zenith Travel” pohojnë se, Greqia ka qenë më pak e kërkuar duke qenë se ka pasur rregulla më strikte në udhëtim, ndërsa Mali i Zi ka “liberalizuar” udhëtimet për arsye turistike.

Nga “Union Travel” pohojnë se, pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që ndikoi për të përfituar çmime më të lira. Drejtuesi i agjencisë, z. Sokol Dodbiba, thotë se, destinacionet e kërkuara janë brenda e jashtë vendit dhe kërkesat kanë qenë të shumta.

“Për periudhën nëntor 2021, destinacionet më të kërkuara mund të ndahen në destinacione brenda vendit dhe jashtë vendit. Në Shqipëri, destinacionet më të preferuara për muajin nëntor, janë: Korça, Vlora dhe Thethi. Për sa u përket destinacioneve jashtë Shqipërisë mund të përmendim: Stambollin, Parisin dhe Vjenën”, thotë z. Dodbiba.

Nga agjencia “Kalemi Travel” thonë se ofertat për këto ditë festash u janë ofruar që në fillim të këtij muaji, të fokusuara kryesisht në rajon. Çmimet nisin nga 100 euro dhe paketat janë interesante.

Përfaqësues të “Matias Travel and Tour” thonë për “Monitor” se, rezervimet kanë qenë në nivele të kënaqshme. Kjo mund të lidhet me faktin se, shqiptarët, të lodhur nga pandemia, duan të udhëtojnë, si dhe ditët e pushimit zyrtare janë katër.

Një pengesë për zgjedhjet e shqiptarëve janë padyshim rregullat kufizuese të shteteve për sa i përket vaksinës dhe tamponit – pohojnë nga “Union Travel”.

“Në zgjedhjen që kanë bërë, shqiptarët kanë marrë në konsideratë rregullat anti-COVID. Këtu mund të marrim rastin e Italisë, e cila ka vendosur një sërë kërkesash për turistët. Kërkesa për Romë, Pisa e vende të tjera kemi pasur, por rregullat e udhëtimit ndryshuan. Kjo ka ndikuar në eliminimin e destinacioneve turistike nga lista jonë për aq kohë sa ekzistojnë këto rregulla”, thotë z. Dodbiba.

Në lidhje me çmimin, ai shton se janë shpenzimet për tampon, e cila është rregull për hyrjen dhe daljen në të gjitha vendet e Europës dhe më tej, shpenzim i cili i shtohet në fund paketës që zgjedhin për të udhëtuar. “Në këtë kontekst, shërbimi turistik ka shënuar rritje në çmim. Nëse turisti krahason çmimet e një apo dy viteve më parë, shikon një diferencë në rritje midis çmimit sezonal tani, me periudhat e mëparshme”, thotë drejtuesi i “Union Travel”.

Ai shton se në filozofinë e ofrimit të paketave turistike këtë sezon ka qenë ruajtja e balancës së çmimeve të viteve të mëparshme, duke ofruar destinacione për të cilat mund të menaxhohet çmimi, udhëtimi dhe janë të arritshme 100%. “Klientëve u ofrojmë argëtimin, por edhe duke u përshtatur me preferencat që kanë për të udhëtuar”, pohon z. Dodbiba.

Agjencia ATHS shprehet për “Monitor” se interesi për të kërkuar një destinacion për këto festa nisi shpejt për disa arsye. Sipas tyre, u interesuan herët që të mësonin për të gjitha specifikat e udhëtimeve sipas rregullave të caktuara nga COVID. Një pjesë e mirë e të interesuarve kanë marrë pushim edhe ditën e premte, data 26 nëntor, që të kishin 5 ditë të plota pushimi.

Sipas tyre, ndonëse ka pasur oferta të brendshme, madje prenotimet në vende si Korça, Voskopoja, Dardha, Pogradeci etj., kanë qenë në kapacitet të plotë, megjithatë rajoni duket më konkurrues, sidomos me paketat e çmimeve të favorshme. Destinacionet me ofertat më të mira, edhe këtë vit, ka qenë Budva dhe Stambolli.