CH-Ballkani

Ku po shpenzohen paratë e diasporës?

Paratë e diasporës shkojnë kryesisht në konsum të përditshëm, ndërsa ekspertët e ekonomisë kërkojnë që ato para të investohen në ndërmarrje të vogla dhe të mesme

Mërgata kosovare vazhdon të konsiderohet stabilizator i gjendjes sociale në Kosovë, duke dërguar për çdo vit më shumë se gjysmë miliardi euro remitenca. Mirëpo të ardhurat e diasporës, po vazhdojnë të shkojnë në konsum të përditshëm dhe jo në investime kapitale.

Ekspertët e çështjeve ekonomike, vlerësojnë se mënyra më e mirë e shfrytëzimit të këtyre mjeteve do të ishte orientimi i tyre në investime në sektorë të ndryshëm në Kosovë, në hapjen e bizneseve familjare, e që rrjedhimisht do të mundësonte punësim dhe zbutje të varfërisë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Naim Gashi, tregon se kontributi i dërgesave të emigrantëve kosovarë ka qenë jashtëzakonisht i madh, por fokusi i remitencave duhet të ndërrohet.

“Një pjesë e madhe e parave të diasporës shpenzohen për ahengje, për dasma e që në fakt, kanë efekte afatshkurtër në ekonominë nacionale dhe efekti i tyre do të ishte shumë i dobishëm sikur ato dalëngadalë të orientoheshin nga dërgesat e drejtpërdrejta për familjarët e tyre në dërgesa në investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të cilat do të gjeneronin vende të punës dhe të ardhura për familjarët e tyre në Kosovë”, vlerëson Gashi, citon REL.

Kosova është ndër vendet në Ballkan me më se shumti dërgesa të pranuara. Thuhet se mbi 25 për qind e familjeve në Kosovë pranojnë remitenca.

Por, për t’i orientuar këto mjete në investime, autoritetet e Kosovës vlerëson eksperti i ekonomisë Naim Gashi, duhet të krijojnë parakushte për investime. Deri më tani, shton ai, nuk është bërë sa duhet që të mobilizohet ky potencial financiar që posedon diaspora kosovare.

“Hulumtimet kanë treguar se vetëm një e katërta (1/4)  e potencialit financiar të diasporës vjen në Kosovë, kurse pjesa tjetër ruhet në bankat dhe institucionet financiare në vendet ku diaspora kosovare jeton dhe punon. Mendoj se mundësia më e madhe e Kosovës për të inkurajuar investimet e jashtme është pikërisht diaspora jonë, e cila ka një potencial të fuqishëm financiar dhe mundësi të mëdha për të investuar”, thekson Gashi.

Shteti ku më së shumti kanë emigruar kosovarët, është Gjermania me 35.25 për qind, e pasuar nga Zvicra me 22.94 për qind.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë konsiderojnë se dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë qenë fuqi ekonomike për Kosovën.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thekson se deri më tani ka qenë e nevojshme që remitencat të shpenzohen për konsum apo për ndërtimin e shtëpive, siç ka ndodhur menjëherë pas luftës në Kosovë. Por, që tani investimi i këtyre mjeteve duhet të bëhet në krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Diasporën ne nuk e kemi vetëm fuqi të krahut në vendet e perëndimit, por tani kemi menaxherë të mirë, biznesmenë të mirë deputet, njerëz që u shërbejnë shteteve të ndryshme, të gjitha këto e ngritin imazhin e diasporës tonë dhe i ngritin të hyrat edhe për vete dhe i jepet mundësia për të investuar në ndonjë biznes”, konsideron Shahini.

Ndryshe, emigrantët kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, kanë shprehur interesim për të krijuar fonde të veçanta zhvillimore, por deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete.