Lajme
Kundërshtimi i Austrisë pengon hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Shengen
Vendet e Bashkimit Evropian vendosën sot të pranojnë Kroacinë, por jo Bullgarinë dhe Rumaninë, në zonën Shengen. Austria kishte kundërshtuar përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë, duke shprehur shqetësime për aftësinë e dy vendeve për të frenuar imigracionin dhe për të garantuar sigurinë në kufijtë e BE-së.
Vendimi u mor në një takim të Ministrave të Brendshëm të BE-së të enjten. Nga janari, Kroacia do të jetë pjesë e Shengenit, zona e udhëtimit pa kontrolle në Evropë që përfshin 26 vende.
Siç pritej, Austria kundërshtoi përfshirjen e Bullgarisë dhe Rumanisë, gjë që pengoi përfshirjen e tyre, pasi vendimi duhet të jetë unanmim në mënyrë që të hyjë në fuqi.
Qëndrimi i Vjenës u ritheksua të enjten para takimit nga ministri i Brendshëm i vendit, Gerhard Karner, i cili tha se tani nuk është koha për të ndëmarrë këtë hap.
“Mendoj se do të ishte i gabuar. Është gabim që një sistem që nuk funksionon në shumë vende të zgjerohet në këtë pikë”, tha ai, duke përmendur faktin se në Austri këtë vit ka pasur më shumë se 100,000 kalime të paligjshme kufitare.
Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, ishte shprehur se përfshirja e këtyre dy vendeve do ta përmirësonte kontrollin në kufijtë e Bashkimit Evropian.
“Mund ta shohim qartë, veçanërisht përmes rrugës ballkanike, se kontrolli i kufijve tanë është shumë i rëndësishëm. Këndvështrimi i Francës është se një zgjerim me këto tri vende do të na lejonte të respektonim më mirë kontrollin e kufijve”, tha ai.
Edhe ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, shprehu një qëndrim të ngjashëm.
“Ne shohim përparim të konsiderueshëm nga të tri vendet në lidhje me zbatimin e plotë të kërkesave të Shengenit. Kjo është arsyeja pse kancelari (gjerman) Olaf Scholz dhe unë mbështesim kërkesën e tri vendeve për t’u bashkuar me Shengenin”, tha ajo.
Komisioni Evropian kishte deklaruar në mënyrë të përsëritur se të tri vendet i kanë plotësuar kërkesat e nevojshme teknike që kanë të bëjnë me kontrollet kufitare, mbrojtjen e të dhënave dhe politikat e vizave, ndër të tjera.
Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, tha se kundërshtimet ndaj përfshirjes së Bullgarisë dhe Rumanisë janë politike.
“Ne jemi më të fortë, jo më të dobët, përmes zgjerimit të Shengenit dhe zgjerimi i Shengenit do të thotë kontrolle më të shumta dhe më të forta”, tha ai.
Në një përpjekje për të lehtësuar shqetësimet e partnerëve të tyre, Bullgaria dhe Rumania ftuan dy herë në muajt e fundit misione faktmbledhëse të BE-së me ekspertë kombëtarë për të parë se si është përmirësuar gjendja, veçanërisht lidhur me shqetësimet për krimin e organizuar, migrimin e paautorizuar dhe shqetësime të tjera të sigurisë.
Vëzhguesit kishin vënë në dukje se refuzimi i përfshirjes së vendeve të reja në Shengen mund të shkaktojë përçarje brenda bllokut në një kohë kur uniteti dhe siguria janë thelbësore përballë luftës së Rusisë në Ukrainë.
Shengen është zona më e madhe e udhëtimit të lirë në botë dhe përfshin 26 vende — 22 shtete të BE-së plus Islandën, Lihtenshtejnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Pothuajse 1.7 milionë njerëz jetojnë në një vend të Shengenit dhe punojnë në një vend tjetër.
Rreth 3.5 milionë njerëz kalojnë kufirin e brendshëm çdo ditë.
E-Diaspora
-
Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfon në luftën e fundit Gjatë së shtunës Arnold “The Cobra” Gjergjaj triumfoi kundër Dennis Lewandowski. Kjo ndeshje e madhe u...
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
-
Sopranoja Elbenita Kajtazi ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë të muzikës
Jeta në Zvicër
-
Mostransparencë e plotë në marrëveshjet mes siguruesve dhe spitaleve private Çështja shkaktoi një reagim këtë fundjavë, disa mbajtës të policave që përfitojnë sigurim plotësues nga Groupe...
-
Procedura e shpejt e azilit zbatohet në katër nga gjashtë qendrat federale
-
Bernë: Parukierja me kombinim të pazakontë – prerje, larje dhe këshilla juridike
-
Zgjedhjet Evropiane 2024: Një e katërta e popullsisë zvicerane ka të drejtë vote
-
Zvicër: 26-vjeçari vozit me 161 km/h në zonën e kufizimit 80 km/h