Futboll

Kuqezinjtë sonte në aksion

Shqipëria do të testohet nga Jordania në ndeshjen që zhvillohet sot nga ora 20:00 në Elbasan

Shqipëria do të luajë sot nga ora 20:00 në “Elbasan Arena”, miqësoren me Jordaninë, vetëm katër ditë para se të përballet për ndeshjen e Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit në udhëtim.

Ky është një test miqësor, për të parë gjendjen e grupit përballë një ndeshje vendimtare për fatet e Ligës së Kombeve, përcjell albinfo.ch.

“Të mendojmë për Jordaninë, më pas të shohim për Izraelin. Edhe ata mund të kenë mungesa. Diçka e kam në mendje. Nëse fitojmë do kem të drejtë, nëse jo, atëherë do jetë katastrofë”, është shprehur trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci në konferencën për media.

Formacioni i mundshëm për sot pritet të jetë 4-2-3-1. Strakosha duket i pazëvendësueshëm mes dy shtyllave. Më pas, nga e djathta Hysaj, ndërsa në të majtë Lenjani, por një opsion është edhe Binaku i Malmos. Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Mavraj e Gjimshiti, të dy pa shumë minuta në këmbë.

Basha dhe Lila do të bëjnë lidhjen e mbrojtjes, me pjesën para të ekipit, ndërsa në linjën ofensive, priten Grezda, Memushaj e Gavazaj, ose në vendin e ish-mesfushorit të Skënderbeut, Myrto Uzuni, i thirrur për herë të parë në Kombëtare.

Balotazhin për pozicionin e vetëm në sulm, mes Balajt e Manajt, mesa duket e ka fituar shkodrani.