Kosova

Kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave

Kosova është duke hyrë në pjesën më të rëndësishme të vendimmarrjes që zhvillohet në kuadër të institucioneve të BE-së lidhur me procesin e liberalizmit të vizave.

Mbledhja e Këshillit të BE-së, e fundit për këtë vit në përbërje të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë, është më 6-7 dhjetor.

Ky takim është kritik për ta jetësuar lëvizjen e lirë të qytetareve të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Lufta e vërtetë diplomatike duhet të koncentrohet te vendet kryesore të BE-së, të cilat kanë hezitime për të votuar pro liberalizimit të vizave, e që në bazë të votimit në Parlamentin Evropian, kemi parë që bëhet fjalë për Holandën, Francën dhe Gjermaninë”, vlerëson Instituti EPIK.

Ky institut i fton të gjithë përfaqësuesit institucionalë që të jenë të përmbajtur rreth afateve për liberalizimin e vizave dhe të mos rrisin pritshmëri joreale te qytetarët për një çështje kaq të ndjeshme për ta.

Instituti EPIK konsideron se skenari më pozitiv i mundshëm është që vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave të përfundojë këtë vit, ndërsa qytetarët të lëvizin lirshëm në vitin 2019.