Jeta në Austri

Kur moshatarët e tij shikonin futboll, ai preferonte vallëzimin

Talentin për balet nuk e kishte të trashëguar nga dikush prej familjes. Ndryshe nga moshatarët e tij që pëlqenin futbollin, ai e donte vallëzimin. Këtu zë fill ëndrra e baletit për Eno Peçin.

Me Eno Peçin u takuam në njërën nga bufetë e Operës Shtetërore të Vjenës.  Një djalë i shoqërueshëm, i sinqertë dhe ambicioz. Balerini shqiptar prej vitesh është solist dhe koreograf i Operës së Vjenës duke marrë pjesë  me shfaqje në vende të ndryshme të botës. Me të biseduam për fillimet e karrierës  dhe sukseset në Operën Shtetërore të Vjenës.

Eno Peçi është i lindur në Tiranë. Ndryshe nga fëmijët tjerë të gjeneratës së tij të cilët pëlqenin futbollin, ai e dashuronte vallëzimin. Madje këtë talent nuk e kishte as të trashëguar nga dikush prej familjes. Në moshën 13 vjeçare filloi të merrej me vallëzim. Fillimisht u regjistrua në shkollën e Baletit në Tiranë dhe më pas, gjatë fund viteve të 90-ta për shkak të trazirave në Shqipëri, shpërngulet në Austri.

“Shkollën e Baletit e fillova në Tiranë dhe pastaj e vazhdova në Vjenë ku dhe diplomova. Sigurisht se nuk ka qenë e lehtë, sepse Vjena i ka rregullat e veta dhe është njëra nga qendrat më të mëdha të kulturës evropiane. Pas diplomimit, fillova në Teatrin e Operës së Vjenës, më pas si solist i trupës së Baletit të Operës së Vjenës” tregon ai.

Eno, balerini kryesor i Operës së Vjenës

Balerini shqiptar prej vitesh është solist dhe koreograf i Operës së Vjenës dhe në këtë cilësi ai me shfaqjet e tij viziton vende të ndryshme të botës.

Në Operën e Vjenës, Eno është një nga balerinët kryesorë. Prej afro 20 vitesh ai është pjesë e koncertit prestigjioz të Vitit të Ri i cili shfaqet në televizionet e shumta botërore si dhe pjesë e njërës prej ngjarjeve më të njohura në Austri siç është “Opernball”. Gjatë vitit, vetëm në Operën e Vjenës ai na thotë se japin deri në 100 shfaqje, pa llogaritur edhe shfaqjet tjera që ai i prezanton në vende të ndryshme të botës.

“Kam punuar shumë për të arritur deri këtu, por sigurisht se kam pasur edhe fat, dhe fatin e kam shfrytëzuar”, shprehet ai duke falënderuar ish drejtorin e shkollës së tij, Michael Birkmaier për mundësinë që i ka dhënë për të shfaqur talentin e tij.

Presidenti Meta e nderon me çmimin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

37 vjeçari shprehet se është shumë i lidhur me vendlindjen dhe e viziton sa herë që të ketë mundësi, por angazhimet e shumta nëpër botë, nuk po i japin mundësi shumë për të qenë më prezent dhe për të dhënë më shpesh shfaqje. “Sa herë që më është dhënë mundësia, unë jam paraqitur me shfaqje të mia edhe në Shqipëri. Gjithmonë jam pritur shumë mirë”, thotë ai.

Vitin e kaluar Eno u nderua nga Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta me çmimin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. “Ishte kënaqësi të nderohesha nga Presidenti i vendit tim. Ky çmim më ka motivuar të punoj edhe më shumë”, shprehet koregrafi shqiptar.

Edhe pse me angazhime të shumta, Eno gjithmonë gjen kohë të shfaqet me koreografitë e tij në trojet shqiptare. Eno, në dhjetor ishte në Prishtinë. “Më 5 dhjetor dhash koreografinë time me titull “Exil” në Prishtinë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë sepse ishte hera e parë që shfaqem në Teatrin Kombëtar të Kosovës”.

 

Ka shumë plane artistike

Pas Kosovës, Eno menjëherë u kthye në Austri, ku më 8 dhjetor në Sant Pölten u shfaq me një tjetër koreografi me titull “Deja Vu” me trupën e Europa Ballett – Choreo Center, me drejtor artistik Renato Zanella. “Përveç kësaj, në këtë mbrëmje kërcyem një duet me koreografinë time, me titullin “Opus 25”, thotë ai.

Koreografi Peçi është i martuar dhe ka dy fëmijë, vajzën Lea dhe djalin Enea. “Mundohem që kohën e lirë ta kaloj edhe me familje. Fëmijët dita ditës po rriten dhe lidhja me ta bëhet gjithnjë e më e madhe”, tregon Eno se si e kalon kohën e lirë të tij.

Balerini Eno Peçi theksoi se aktivitetet e tij do të vazhdojnë edhe gjatë muajve të ardhshëm me trupën e baletit të qytetit të Vjenës dhe me koreografi të tjera brenda Austrisë dhe në shumë shtete të tjera të botës.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Box 1

Pjesë e Koncertit famoz të Vjenës për Vitin e ri

Prej afro 20 vitesh ai është pjesë e koncertit prestigjioz të Vitit të Ri i cili shfaqet në televizionet e shumta botërore si dhe pjesë e njërës prej ngjarjeve më të njohura në Austri siç është “Opernball”. Gjatë vitit, vetëm në Operën e Vjenës ai na thotë se japin deri në 100 shfaqje…

 

Box 2

Babai i dashur i Leas dhe Eneas

Balerini dhe koreografi Peçi është i martuar dhe ka dy fëmijë, vajzën Lea dhe djalin Enea. “Mundohem që kohën e lirë ta kaloj edhe me familje. Fëmijët dita ditës po rriten dhe lidhja me ta bëhet gjithnjë e më e madhe”, tregon Eno se si e kalon kohën e lirë të tij.

 

P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at