Kosova

Kurti dhe Hamza takohen për herë të parë pas zgjedhjeve: “Presim progres për formimin e institucioneve”

Hamza para takimit me Kurtin: Po shkoj pa vija të kuqe, shpresoj në sukses

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar të premten me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

Kurti mbërriti në Kuvend i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ndërsa para takimit u shpreh optimist se bisedimet do të jenë konstruktive.

“Presim që takimi të jetë konstruktiv dhe t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të”, deklaroi Kurti.

Ky është takimi i parë i liderit të LVV-së me krerët e partive politike pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ai pritet të zhvillojë takim edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa ftesa për konsultime i është dërguar edhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga ana tjetër, Bedri Hamza tha se PDK-ja i është përgjigjur pozitivisht ftesës, me synimin që të kontribuojë në krijimin e institucioneve dhe stabilitetit politik në vend.

“Ne po shkojmë me iu përgjigj ftesës pa paragjykuar, ku uroj dhe besoj që të ketë sukses, të ketë progres, vendi të ketë institucione, stabilitet institucional dhe përparim”, tha Hamza.

Ai theksoi se në këto bisedime nuk janë në fokus ndarja e posteve, por parimet mbi të cilat duhet të ndërtohen institucionet e reja.

“Nuk po flasim as për pozicione, as për emra, po flasim për parime”, u shpreh ai.

Hamza ritheksoi se PDK-ja nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie politike dhe se është e gatshme të bisedojë me të gjithë liderët politikë në funksion të interesit të vendit.

Takimet konsultative vijnë një ditë pasi Kurti u dërgoi ftesa zyrtare liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja. /Albinfo.ch