Kosova

Kurti: Diaspora, urë lidhëse për investime direkte

Kurti: Panairet, të rëndësishme për zhvillimin dhe promovimin e vendit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Panairi Ndërkombëtar EXPOKOS është i rëndësishëm për zhvillimin dhe promovimin e vendit, përcjell albinfo.ch.

Në edicionin e 23-të të Panairit Ndërkombëtar EXPOKOS, kreu i ekzekutivit ka falënderuar mërgatën për kontributin e dhënë për Kosovën, teksa e quajti diasporën urë lidhëse për investime direkte dhe për turizmin në Kosovë.

“Kur e pashë këtë emërtim, EXPOKOS, më shkoj mendja tek eksploro Kosovën, që paraqet një thirrje për të hulumtuar vendin tonë të bukur e të pasur që të zbulohen edhe trevat dhe bizneset. Ato ofrojnë një mundësi të çmuar për bizneset, pra që ndihmon bizneset të ecin përpara në treg. Vendi ynë ofron qasje të përshtatshme në tregjet evropiane. Po dëshmojmë se demokracia e mirëfilltë e mundëson dhe mbështet zhvillimin ekonomik. Rritja e ekonomisë sonë në tre vjetët e fundit është mbështetur nga rritja e dyfishtë e investimeve të huaja”, tha Kurti.

“Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Kosova udhëheq me rritjen e saj ekonomike në Ballkanin Perëndimor, për periudhën 2023-2025, duke u shfaqur si model i suksesit dhe i transformimit. Rritja e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një mesatare vjetore prej 6.2 për qind të Bruto Produktit Vendor në tre vjetët e fundit është mbështetur nga rritja e dyfishtë e investimeve të huaja direkte, dyfishimi i eksporteve, rritja e qarkulluar në sektorin privat si dhe rritje në punësim për 20 për qind krahasuar me pranverën e vitit 2021. Këto zhvillime kanë kontribuar një ekonomi më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse e madje pa krijuar borxhe të reja dhe duke realizuar shpenzime kapitale rekord në vitin 2023”.

Kurti ka folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend e investime miliardëshe. Ai përmendi edhe një Raport të Bankës Botërore që sipas tij e radhit Kosovën me rritjen ekonomike më të madhe në Ballkan.

“Kosova planifikon projekte ambicioze në infrastrukturën publike që kalojnë shifrën e 7 miliardë euro, duke përfshirë energjinë e ripërtritshme dhe projekte infrastrukturore që prekin jetën e qytetarëve çdo ditë siç janë mjetet për transport rrugor, hekurudhat, mjedis i furnizimit me ujë, trajtimin e ujërave të zeza në menaxhimin e mbetjeve dhe në energji me synim të prodhimit 1.2 gigavat kapacitet energji nga burimet e ripërtërtishme dhe të rikonstruktimi të termocentralit ekzistues në thëngill. Suksesi i fundit në ankandin prej 100 megavatë energji diellore në Kramovik të Rahovecit të fituar nga një konsurcium i udhëhequr nga një kompani zvicerane me pjesëtarë nga diaspora jonë në Zvicër tregon se jemi në rrugën e duhur për të ndërtuar një të ardhme prosperuese. Gjithashtu në fund të muajit të kaluar kemi aprovuar programin kompakt nga ‘Millenium Challenge Corporation’, pra nga korporata e një mijë vjeçarit një nismë historike me vlerë prej më shumë se 230 milionë euro kryesisht i financuar nga një grant i qeverisë së SHBA-së, ky projekt do të na bëjë shtetin me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Kurse me mbështetjen e një institucioni tjetër qeveritar amerikan USAID, Kosova së fundmi ka arritur të marrë vlerësimin e saj të parë të kredisë sovrane”.

Panairi do jetë i hapur edhe nesër nga ora 10:00 deri në orën 18:00. Ky edicion do të vazhdojë të mbulojë sektorët e energjisë, ndërtimit, minierave, makinerisë dhe mbrojtjes dhe sigurisë.