Kosova
Kurti kërkon përkrahjen nga Gjermania për Këshillin e Evropës
Në bisedën telefonike me Scholzin, kryeministri i Kosovës tha se i ka shprehur atij mirënjohje për mbështetjen “e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të cilit i ka thënë se shpreson që Gjermania do ta mbështesë kandidaturën e shtetit të tij në Këshillin e Evropës.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës e mbështetën më 16 prill raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan, transmeton albinfo.ch.
Çështja tani është në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës. Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.
Në bisedën telefonike me Scholzin, kryeministri i Kosovës tha se i ka shprehur atij mirënjohje për mbështetjen “e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën”.
“Nënvizova shpresën se Gjermania do ta mbështesë kandidaturën tonë për anëtarësim në KiE në përputhje me rekomandimet e Amsamblesë Parlamentare. Po ashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, themeluar më 1949. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Një prej përfitimeve direkte të qytetarëve të Kosovës nga anëtarësimi eventual në Këshillin e Evropës do të jetë qasja në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut [GJEDNJ].
Serbia, shtet i cili e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, kishte propozuar disa amandamente në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë.
Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.
Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këto amandamente nuk kaluan.
E-Diaspora
-
“Gjurmëve të Rrënjëve Tona”, një mbrëmje kushtuar identitetit shqiptar në mërgatë Është mbajtur edicioni i katërt i aktivitetit kulturor "Gjurmëve të Rrënjëve Tona", organizuar nga Misioni Katolik... -
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore -
Nga Cyrihu drejt Amerikës, Ansambli “TROJET” çon kulturën shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” -
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë -
Ansambli “Vatra” sjell atmosferë shqiptare në “Albanifest” të Winterthurit
Jeta në Zvicër
-
Njëzet persona evakuohen pas zjarrit në Qendrën Landorf në Köniz Zjarri tani është nën kontroll. Megjithatë, operacionet e shuarjes së zjarrit janë ende duke u zhvilluar... -
Çmimet e energjisë elektrike në Zvicër pritet të bien përsëri në vitin 2027 -
“Gjurmëve të Rrënjëve Tona”, një mbrëmje kushtuar identitetit shqiptar në mërgatë -
Zvicra transferon 500 milionë franga para kohe për aeroplanët F-35 -
Temperatura deri në 45 gradë Celsius, janë të mundshme në Zvicër












