Kosova

Kurti sërish me thirrje LDK-së: Dorëzoni nënshkrimet për kandidatin për president

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka biseduar me kandidaten për presidente, Hatixhe Hoxha, e cila është shprehur e gatshme të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK deponon 15 nënshkrime për kandidatin e saj për president.

Kurti tha në një konferencë për media se tani pritet që LDK të dorëzojë zyrtarisht nënshkrimet me emrin e kandidatit të saj, duke theksuar se ky hap është i domosdoshëm për vazhdimin e procesit.

Sipas tij, pas deponimit të nënshkrimeve nga LDK, mazhoranca është e gatshme të plotësojë edhe pjesën tjetër të nënshkrimeve të nevojshme për të mundësuar zgjedhjen e presidentit.

Kurti shtoi se lista e paraqitur nga LDK nuk kishte të specifikuar emrin e kandidatit, por vetëm mbështetje në parim, ndërsa pas komunikimit me Hoxhën ajo ka pranuar mundësinë e tërheqjes nëse plotësohen kushtet.

Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësia për funksionimin e institucioneve i takon të gjitha palëve politike, përfshirë opozitën, dhe se janë bërë përpjekje për marrëveshje, por pa sukses deri tani.