Tematike

Kushtrimi, lë mbrapa 640.000 moshatarë gjermanë!

Një djalë nga Kosova i lë mbrapa konkurrentët pikërisht në elementin problematik për të huajt: leximin në gjuhën gjermane

Dy fituesit: Kushtrimi dhe Anna

Kushtrim Rushiti* shqiptari 12 vjeçar nga Bergisch Gladbach i Gjermanisë, ka ndarë vendin e parë bashkë me një moshatare të tij (Anna Becker) në garat federale të nxënësve të Gjermanisë për zgjedhjen e lexuesit më të mirë të veprave letrare. Është kjo garë tradicionale që e organizojnë për çdo vit libraritë gjermane.

Kushtrimi ka fituar në një konkurrencë prej 640 mijë nxënësve gjermanë që kanë marrë pjesë në këtë konkurs, shkruan gazeta gjermane “Kölner Stadtanzeiger”.

“Ai erdhi, lexoi dhe fitoi”, e fillon kështu shkrimin për shqiptarin e vogël gazeta e përmendur. Ai është nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore në Kleefeld. Në shtëpi me prindërit Kushtrimi flet shqip. Në vitin 1998 familja e tij kishte ardhur nga Kosova në Gjermani. Për të kuptuar përse Kushtrimi ka lënë mbrapa qindra mijë pjesëmarrës tjerë të garës, ju duhet ta dëgjoni atë vetëm disa sekonda duke lexuar.

“Lotët më dalin nga sytë””, lexon ai ndërsa dëgjuesi duhet të ketë kujdes, që të mos i ndodhë edhe atij pikërisht kjo. Duke shprehur tërbim, dëshpërim, gëzim apo guxim, Kushtrimi i kthen në jetë figurat e romaneve, zhytet brenda personave për të cilët bëhet fjalë dhe i bën ata të marshojnë në botën e brnbedshme të dëgjuesve.

“Unë mund ta bëj këtë”, thotë ai në mënyrë lapidare dhe shton: Unë i krijoj vetes një pamje në kokën time rreth asaj se si duken ata njerëz, mimika e tyre, gjestika dhe pastaj… po, pastaj, thjesht lexoj”.

Ai ka kaluar të gjitha shkallët e suksesit në fushën e leximit letrar. Së fundi, javën e kaluar, në Bibliotekën Kombëtare të Gjermanisë, në Frankfurt Kushtrimi u zgjodh fitues në nivel federal.

Kushtrimi për gazetën “Kölner Stadtanzeiger”, pranon se në shtëpinë e tij fillimisht ka pasur vetëm një libër letrar të përshtatshëm për moshën e tij. Vetëm pasi ka zbuluar prirjen e tij të rrallë për lexim, ai ka bërë ndërkohë edhe disa libra tjerë, të cilët i ka blerë me triskat që i janë ndarë në garat ku ai dilte vazhdimisht i pari.

Krahas një kupe ku është i shkruar emri i tij Kushtrimi në garat e fundit është shpërblyer edhe me një bon për një fluturim nëpër Evropë për katër persona. Se ku do të shkojë, ai ende nuk e di. Por gjithsesi diku ku është ngrohtë dhe ku ka plazh.

Suksesi i madh i Kushtrimit ka bërë që ai të zgjidhet anëtar jurie për garat e vitit të ardhshëm. Kushtrimi e ka parasysh se suksesi i tij është për aq më i madh për faktin se ai gjermanishten nuk e ka gjuhë amtare. Edhe pse, siç thotë ai, që në moshën 3 ose 4 vjeçare ai ka folur me vëllanë e tij edhe gjermanisht dhe kjo mbase i ka ndihmuar.

Në të ardhmen ai mund ta shohë veten në disa profesione, si atë të gazetarisë, folësit në televizion ose përkthyesit të filmave. Kur e përmend profesionin e përkthyesit të filmave ai mendon për sinkronizuesin me zë të filmave. Por, thotë ai, mund të ndodhë të bëhem edhe shkrimtar.

Një djalë nga Kosova i lë mbrapa të gjithë konkurrentët e tij pikërisht në elementin në të cilin fëmijët me prejardhje të huaj kritikohen më së shpeshti: në gjuhën gjermane. Ai fiton madje jo për shkak të gramatikës dhe drejtshkrimit por për shkakun se e kupton mesazhin e fjalëve dhe e transmeton atë me racionalitet dhe me shpirt. (BSH).

(*Në gazetën gjermane mbiemri i Kushtrimit është i shkruar në trajtën Rusitovic, që mund të jetë për shkaqe administrative ose të tjera. v.j.)