Turizëm

Anija që ka sjellë në Shqipëri 1 mijë turistë për dy muaj

Me anijen “La Belle de L’Adriatique” kanë mbërritur në Durrës që nga mesi i muajit shkurt 1.076 turistë, kryesisht nga Franca e Belgjika.

Nesër paradite anija do të sjellë një grup tjetër me 180 turistë, të cilët përveç Durrësit, do të zhvillojnë vizita të organizuara edhe në Tiranë e Berat.

Agjencia pritëse “Intermed Shiping” bën me dije se tashmë anija turistike është ankoruar shtatë herë radhazi në kalatat e portit më të madh të vendit dhe lundrimi i së shtunës do të jetë i fundit për sezonin pranveror.

Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës (APD), bëhet e ditur se anija me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg vjen për të tretin vit në Durrës, por këtë vit do të ankorohet plot nëntë herë në qytetin bregdetar, shkruan atsh, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij sezoni turistik ajo pritet të ankorohet edhe dy herë të tjera në portin e Durrësit.