Kosova

LDK dorëzon në Kuvend mocionin e mosbesimit

Mocioni me 46 nënshkrime u dorëzua në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës konfirmoi se sot në fund të orarit të punës dorëzoi në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime.

LDK përmes një postimi në Facebook bëri të ditut se përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin ndaj tij. “Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, bëhet e ditur në njoftim. Partia, e cila ende është pjesë e Qeverisë Kurti, ka siguruar 46 nënshkrime për të thirrur seancën e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.