Lajme

Le Pen zotohet për kontrolle të rrepta ndaj emigrantëve

Liderja e së djathtës ekstreme të Francës, Marine Le Pen, fushata presidenciale e të cilës është tronditur nga braktisja e disa prej bashkëpunëtorëve të saj, u zotua gjatë një mitingu elektoral se do të kontrollojë me dorë të hekurt emigracionin.

“Dora ime nuk do të dridhet kur do të bëhet fjalë për të mbrojtur interesat e qytetarëve francezë. Dora ime nuk do të dridhet kurrë për të mbrojtur francezët nga pushtimi i emigrantëve”, tha Marine Le Pen, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Muajin e kaluar, mbesa e Le Pen, Marion Marechal, një figurë popullore në radhët e votuesve të së djathtës ekstreme, deklaroi se do të bashkohej me rivalin Eric Zemmour, të cilin e konsideroi një kandidaturë më të mirë.
Vetë Le Pen renditet e dyta dhe e treta në sondazhet e kryera, gjë që tregon një përplasje mes kandidatëve të së djathtës ekstreme, që synojnë të fitojnë në balotazh kundër presidentit Emmanuel Macron.

Ky i fundit udhëheq anketa dhe ka gjasa të sigurojë një mandat tjetër.
Dezertimet e fundit tregojnë se si strategjia e Le Pen për ta bërë partinë e saj më të pranueshme përballë votuesve të qendrës së djathtë po armiqëson mbështetësit e saj dhe e ka lënë atë pas rivalit Zemmour.