Shqipëria

Lëreni Diasporën të sjellë Diasporën në Shqipëri, ashtu siç është, e papërlyer

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka disa qëllime kryesore si realizimi i votës së Diasporës e unifikimi i zërit të saj por edhe plotësimi i nevojës së një artikulimi të qartë politik të Diasporës së Shqipërisë

Në nëntor të vitit 2016, Qeveria Rama 1 mbajti samitin e parë të Diasporës me rreth 800 pjesëmarrës nga 40 shtete. Shumica dërrmuese e të ftuarve erdhën me kostot e tyre, të shtyrë nga një atdhedashuri e skajshme e dëshirë për të bërë diçka të mirë për vendin. Ky organizim nga qeveria u pa si një hap i mirë në ndërtimin e urës midis mërgatës shqiptare dhe atdheut. Rama shkoi më tej në vitin 2017, teksa në qeverinë Rama 2, krijoi një Ministri Diaspore me ministër, z. Pandeli Majko.

Misioni i kësaj ministrie sipas vendimit më poshtë*, ishte që të përfaqësojë e nxisë politikat e bashkëpunimit dhe të ndërveprimit me të gjithë shqiptarët, duke nxitur e fuqizuar bashkëpunimin në të gjitha fushat me shqiptarët jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe shtetet ku ata banojnë. (* VENDIM Nr.510, datë 13.09.2017 PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR DIASPORËN)

U ndanë titujt ambasadorë kombi për shumë shqiptarë nëpër botë e sigurisht kjo dha një sinjal pozitiv se Shqipëria vërtetë dëshironte të merrte nga njohuritë dhe kapitali i gjithë shqiptarëve duke i afruar ata më shumë me vendin. U krijuan madje edhe struktura të posaçme si:

  • Këshilli Koordinues i Diasporës
  • Agjencia kombëtare e Diasporës
  • Dhoma e biznesit të Diasporës
  • Komiteti shtetëror për Diasporën
  • Fondi Shqiptar për zhvillimin e Diasporës
  • Qendra e botimeve për Diasporën
  • Qendra e studimeve dhe publikimeve për arbëreshët
  • Qendrat e Kulturës Shqiptare etj.

Për të zhvilluar sa më lart u krijuan edhe 3 Strategji të Diasporës, pak a shumë e njëjta por e përmirësuar disa herë dhe e printuar me mijëra kopje por mund të gjendet edhe këtu https://diaspora.gov.al/strategjia-kombetare-e-ministrise-se-diaspores/. Më e fundit strategji është ajo e 2021 – 2025 ku mund të shihni qartë se deri në 2020 janë harxhuar miliona Euro nga taksat e shqiptarëve, pa arritur asgjë konkrete nga ato që ishin thelbi i misionit të kësaj ministrie, sjellja reale e Diasporës më afër atdheut dhe realizimi i VOTËS SË DIASPORËS.

Sipas një raporti të vitit 2011 të Komisionit të Venecias, thuhet se votimi nga jashtë është mjet shtesë, i cili siguron që qytetarët të mirëmbajnë raportet me vendin e origjinës dhe forcojnë ndjenjat e përkatësisë kombëtare pavarësisht rrethanave gjeografike, ekonomike apo politike

Teksa remitancat, një nga shtyllat kryesore të PBB (Prodhimit të brendshëm bruto) të Shqipërisë, jo vetëm u rritën në vitin pandemik 2021 por arritën edhe nivelin më të lartë gjatë 12 viteve të fundit, me 761 milionë euro** por edhe presioni i Diasporës u rrit, qeveria vendosi ta shkrijë në heshtje ministrinë e Diasporës, me krijimin e qeverisë Rama 3.

Si «qershia mbi tortën» e dështimeve, erdhi pikërisht kjo zhdukje e portës ku mund të trokiste direkt Diaspora për të kërkuar mbështetje e të drejtat e saj. Kështu pra, pa realizuar votën e Diasporës e pa kërkuar asnjëherë ndjesë për këtë e për milionat e çuara dëm, Ministri bashkë me Ministrinë u zhdukën duke «lënë jetime» diasporën nga kujdesi shtetëror. Çuditërisht me një diasporë të re në rritje dhe me qindra mijëra shqiptarë të larguar vetëm në 10 vitet e fundit, qeveria e pa të arsyeshme ta ulë interesin ndaj Diasporës duke e kaluar përgjegjësinë nga një ministri e posaçme në një detyrë shtesë për një zv. Ministre, e cila për hir të së vërtetës, ende nuk ka marrë kontakt proaktiv me Diasporën.

Si revoltë ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar në Maj 2020 por edhe ndaj dhunës shtetërore në rritje, lindi “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”. Kjo lëvizje qytetare e lindur në mërgatë me disa qëllime kryesore si realizimi i votës së Diasporës e unifikimi i zërit të saj por edhe plotësimi i nevojës së një artikulimi të qartë politik të Diasporës së Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, kjo Lëvizje dëshiron të mbështesë çështjet e problematikave qytetare në Shqipëri, të cilët në një shtet të kapur, ndihen të vetmuar.

“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ka mision, vizion dhe vlera të qarta të cilat jetohen nga Ne dhe punën e kemi të strukturuar në grupe pune për tematikat përkatëse (Vota, Ekonomia, Mjekeësia etj) në mënyrë që edhe kritikën ta kemi konstruktive e me këshilla konkrete se si gjërat mund të bëhen më mirë.

Ne punën tonë e vazhdojmë me këmbëngulje e besim që do të arrijmë ta realizojmë votën e Diasporës falë bashkëpunimit mes nesh por edhe mes shoqatash të ndryshme në Diasporë si dhe gatishmërisë të KQZ në Shqipëri për ta realizuar këtë. Së fundmi KQZ dhe OSCE në Shqipëri realizuan tryezën kombëtare me temë «Vota e Diasporës, koha është tani» ku u arrit një dakordësi publike midis të gjitha palëve politike, Diasporës dhe shoqërisë civile, që vota e Diasporës duhet të realizohet për zgjedhjet e ardhshme qendrore. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha instancat shtetërore por edhe aktorët politikë kombëtarë e ndërkombëtarë për ta mundësuar votën. Për të mos i lënë vend asnjë të papriture, në mars 2022 kemi paditur shtetin shqiptar në Gjykatën Kushtetuese për mosrealizimin e kësaj vote në zgjedhjet e kaluara, për ta pasur edhe presionin ligjor si një shtysë për të gjithë Ne, në këtë betejë historike.

Gjatë ekzistencës së Ministrisë së Diasporës, vumë re me keqardhje dhe denoncuam publikisht vendosjen e 4 «oficerëve të Diasporës» nga Qeveria Rama, 2 në Itali e 2 në Greqi. Them me keqardhje se jo vetëm u zgjodhën «pa zgjedhje e jo nga Diaspora» por u zgjodhën figura krejtësisht politike me poste të larta në partinë socialiste në këto shtete. Me pak fjalë, një variant më i moderuar i patronazhistëve famëkeq, që spiunonin vullnetarisht popullin shqiptar për të pasur mundësinë për shantazhuar për, në ndryshim nga këto oficere, të cilët paguheshin dhe paguhen nga taksat tona për ta bërë këtë.

Nuk e njoh mirë realitetin politik në Kosovë dhe angazhimin e qeverisë me Diasporën por në Shqipëri shohim tentativa të forta nga qeveria për të zgjatur tentakulat e korrupsionit e manipulimit të mërgatës dhe i bëjmë thirrje të tërhiqet sa nuk është vonë. Diaspora është një thesar që duhet shfrytëzuar në të mirë të vendit duke i dhënë atyre atë që i takon dhe duke na lënë të sjellim më të mirën në Shqipëri. Thelbësore nuk është vetëm dija dhe pasuria por kultura e meritokracisë që të gjithë e kemi fituar me mund në perendim. Ne duhet jo vetëm t`i sjellim mundësi më të mira rinisë me investime nga Ne por më e rëndësishmja, ti tregojmë rinisë tonë se edhe me dinjitet, këmbëngulje e punë të fortë, mund të ngjitemi lart në të kundërt me modelin e militantizmit të pastër në Shqipëri, i cili jo vetëm ka shkatërruar shtetin, strukturën dhe financat e tij të brishta, por edhe ka vrarë shpresën se vendi bëhet dhe rinia janë me valixhet gati e sytë nga emigracioni.

Ne besojmë se Shqipëria bëhet dhe atë e bëjnë Shqiptarët që zemrën e kanë në vendin e duhur, mendjen e kanë plot dhe janë të gatshëm të punojnë fort me njëri tjetrin.

Florian Haçkaj, Bashkë-themelues e bashkë-president i “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”

Ju ftojmë të na bashkoheni.

https://www.facebook.com/diasporaofalbania

https://www.diasporaofalbania.com/