Maqedonia

Lëvizja Besa hyn në Qeveri

Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa të drejtuar nga Afrim Gashi, gjatë mbledhjes së sotme vendosi që të bëhet pjesë e Qeverisë së Maqedonisë dhe të pranojë kështu Ministrinë e Kulturës, që deri më tani drejtohej nga LSDM-ja.

“Ndonëse edhe deri më tash deputetët e Lëvizjes BESA e kanë mbështetur shumicën dhe qeverinë në agjendën reformuese, ne iu përgjigjëm kërkesës së Kryeministrit që të bëhemi edhe pjesë e pushtetit ekzekutiv. Me këtë rast dëshirojmë t’i theksojmë disa nga arsyet e rëndësishme që BESA t’i bashkohet qeverisë. Agjenda reformuese, procesi i zgjidhjes së kontestit të emrit, hapja e negociatave për integrim në BE dhe, veçmas, kohezioni i nevojshëm për anëtarësim në NATO, që sot mund të konsiderohet akti më i rëndësishëm historik për vendin, por edhe për shqiptarët, janë detyrime që na bëjnë koshientë për rëndësinë e momentit dhe anës në të cilën ne duhet të jemi të rreshtuar sot. E ne jemi për anëtarësim në NATO dhe për integrim në BE”, deklaroi në konferencën për media kryetari i partisë Arim Gashi, përcjell albinfo.ch.

Gashi mes të tjerash njoftoi se do të udhëheqin me resorin e kulturës, duke mos dhënë detaje për emrin e ministrit.

“Neve na është besuar të udhëheqim me resorin e kulturës dhe kjo për neve është nder dhe mirënjohje, sepse një vend që viteve të fundit u betonizua ka nevojë për t’u çliruar dhe për të reflektuar vlera të njëmendta kulturore e shpirtërore, që për fat të keq deri tash ose janë mbuluar ose janë harruar”, deklaroi Gashi.