Kosova

Liderë institucionalë dhe politikë bëjnë homazhe në Reçak

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë bërë homazhe për 22-vjetorin e masakrës në Reçak, transmeton albinfo.ch.

Osmani ka thënë se masakra e Reçakut është ndër masakrat më të tmerrshme, jo vetëm në historinë e Kosovës, por të gjithë njerëzimit.

“Masakra e Reçakut është ndër dëshmitë më autentike të gjenocidit serb në Kosovë. Është vendi ku përfundimisht u dëshmua qëllimi i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve”, ka thënë ajo.

Më tej, para mediave Osmani tha se për krimet e Serbisë duhet folur në çdo vend të botës.

“Nga këtu, duhet me zë të lartë ta themi të vërtetën duke kërkuar drejtësi për të gjithë ata që ranë që ne ta gëzojmë lirinë. Kurrë nuk është vonë që për krimet e Serbisë të flasim çdo kund në botë. Shqiptarët luftuan për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, dhe Serbia udhëhoqi luftën dhe bëri gjenocid. Përkujtim i përjetshëm për të gjithë të rënët në Reçak dhe të gjithë të rënët në Kosovë”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti theksoi se Serbia kishte në projekt shfarosjen e shqiptarëve.

“E mbaj mend që dimri i janarit i 1999 ishte shumë më i ftoftë se sa ky sivjet, kjo ngjarje e trishtueshme e kishte tmerruar gjithë kombin shqiptar. Pas aktit gjenocidal në Reçak, avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Millosheviqit. Serbia kishte ne projekt shfarosjen e shqiptarëve. Me pikëllime erdhëm të takojmë familjarët e viktimave në Reçak”, potencoi ai.

Kurti theksoi se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme përderisa nuk ka drejtësi që sjell dënim për kriminelët.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, gjatë vizitës së tij në memorialin e viktimavë të Masakrës së recakut, ka thënë se viktimat e kësaj masakre nuk do të prehen të qetë asnjëherë, derisa kryerësit e masakrës të marrin dënimin e merituar, njofton Insajderi.

Sipas tij, drejtësia ndonjëherë vonon, por do të vendoset.

“Sot në këtë ditë të veçantë, bëmë nderimet te të rënët në masakrën e Reçakut, në një vend ku ndodhi një masakër e tmerrshme. Në Kosovë janë kryer shumë krime makabre, por ky vend është më i veçantë. Kjo ngjarje sensibilizoi botën për gjendjen, terrorin e vrasjet që po ndodhnin në Kosovë me vite të tëra”, ka thënë ai gjatë një prononcimi për media në Reçaku.

“Asnjëherë nuk do të prehen të qetë këta trupa deri sa kryerësit të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon, por do të vendoset”, ka përfunduar ai.

Sot janë mbushur 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen masakrën në Reçak. Aty u masakruan 44 shqiptarë të paarmatosur.

Ndërkohë, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial, në Reçak me rastin e 22-vjetorit të masakrës që është kryer në këtë vend.

Haradinaj ka thënë se është e vërtetë se liria ka emër.

“Është e vërtetë se liria ka emër, e ka Prekazin, Reçakun i ka varret edhe vuajtjet e dhimbjet e të gjithë atyre që më të dashurit i kanë në themele të lirisë. Lavdi e përjetshme”, ka thënë Haradinaj.

Sot, 15 janar 2021, janë bërë 22 vjet që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak.

Po ashtu, edhe kandidati për kryeminstër i PDK-së, Enver Hoxhaj, këtë të premte ka bërë homazhe në Reçak, në 22 vjetorin e masakrës.

Hoxhaj ka deklaruar se Reçaku ishte një ngjarje që e lëvizi ndërgjegjen e botës dhe si rezultat i kësaj ishte intervenimi i NATO-s, në Kosovë në vitin 1999.

“Asnjëherë nuk e kemi menduar se pas 21 vitesh do të vijmë në Reçak për të nderuar të rënët pa Kadri Veselin, pa Hashim Thaçin, pa Jakup Krasniqin, pa Rexhep Selimin dhe pa komandantët e UÇK-së, të cilët në mënyrë të padrejtë janë duke u përballur me një gjykatë, prej të cilës besojmë se ata do të kthehen të lirë dhe fitimtarë”.

“Çdo shqiptarë, çdo evropian duhet ta dijë se ata në Hagë, nuk janë emra dhe mbiemra të përveçëm, ata përfaqësojnë kauzën tonë për liri. Rruga jonë për liri ishte e vështirë, ekzistenca jonë si shtet erdhi nga qytetarë trima dhe punëtorë. Ne e kemi për detyrë ta vazhdojmë sakrificën dhe me vendosshmëri ta ndërtojmë më tutje një Kosovë moderne”.

“Ata që janë në Hagë do ta mbrojnë edhe njëherë akuzën tonë për liri dhe do të kthehen fitimtarë”, ka thënë Hoxhaj, tha ai.  /Albinfo.ch