Shqipëria

Linja e re direkte nga Tiranë në Helsinki

Zhvillimi vjen në një periudhë kur Shqipëria po përjeton një rritje të qëndrueshme të fluksit të pasagjerëve

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shtuar një tjetër destinacion në hartën e fluturimeve, duke vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me Helsinkin.

Linja e re do të operojë dy herë në javë, duke krijuar një urë të re komunikimi për pasagjerët dhe duke lehtësuar lëvizjet drejt një prej rajoneve me interes në rritje për turizmin shqiptar.

Kjo lidhje e re jo vetëm që zgjeron alternativat për udhëtarët shqiptarë, por gjithashtu ofron akses më të shpejtë drejt një rrjeti më të gjerë destinacionesh ndërkombëtare përmes një prej qendrave kryesore të trafikut ajror në veri të Evropës, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Zhvillimi vjen në një periudhë kur Shqipëria po përjeton një rritje të qëndrueshme të fluksit të pasagjerëve. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, mbi 2,16 milionë pasagjerë udhëtuan me linja ajrore, duke shënuar një rritje prej 3,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në të njëjtën kohë, tregu ajror shqiptar po bëhet gjithnjë e më konkurrues, me 21 kompani që operojnë në vend vetëm në tre muajt e parë të vitit.

Ky zgjerim i ofertës po reflekton rritjen e interesit ndërkombëtar për Shqipërinë, si destinacion turistik dhe si pikë lidhëse në rajon.

Shtimi i linjave direkte dhe zgjerimi i rrjetit ajror po e bëjnë vendin më të aksesueshëm për turistët e huaj, duke hapur rrugë për tregje të reja dhe duke forcuar pozicionin e Shqipërisë në hartën turistike ndërkombëtare.