Kosova

Në Londër festohet 16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

Motoja “Bashkimi bën fuqinë”, moto e tri shoqatave së bashku, të cilat mblodhën krijmtarinë e tyre artistike dhe u bashkuan në një organizim unik për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Koncerti nisi me dy himnet.

“Ardhmëria”, “Arbëria” dhe “Kosovar Albanian Youth Against Violence” ( KAYAV) u paraqitën me një program gjithpërfshirës, ku spikati energjia e gjuhës shqipe si me recitime dhe këngë, po ashtu edhe me fuqinë e traditës kulturore, duke tundur skenën nga vallet e bukura të trevave të ndryshme shqiptare.

Aktivitetin e përshëndetën Ambasadori i Republikës së Shqipërisë,  z.Uran Feriza, përfaqësuesja e Ambasadës së Kosovës, znj. Arta Qehaja si dhe përfaqësuesja angleze Mayor, Councillor Nagus Narenthira e shoqëruar nga z. Kan Narenthira. Të pranishëm gjithashtu në aktivitet ishin edhe sekretaria e parë e Ambasadorit të Shqipërisë, z.Mamica Toska si edhe Kolonel Argon Bajrami nga Ambasada e Kosovës.

Një spektakël më vete entuziazmi i publikut, i cili e mbushi sallën e madhe, në “Ashmole Academy”, Londër, ku edhe është ambienti në të cilin mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe nxënësit e shoqatës “Arbëria”. Shoqatë e cila mundësoi organizimin e kësaj feste në shtëpinë e saj.

Ishin të ftuar përfaqësues të lartë nga ambasadat përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë në Londër.

Përshëndetën komunitetin drejtuesit e shoqatave z. Lutfi Vata, znj. Rozana Hykaj, znj. Matilda Halili, znj. Rema Duli.

Programi i bukur artistik, ku të gjithë fëmijët dhe rinia, e cila përfaqësonte këto tri shoqata, emocionoi çdo pjesëmarrës në sallë.

Pjesët e përzgjedhura kishin tematikë patriotike dhe kulturore shqiptare.

Kostumet, muzika dhe interpretimi mbante energjinë e një populli, i cili edukon brezin e ri me dashurinë për atdheun edhe përtej kufirit këtu në Diasporën londineze.

Në veçanti, poezia “Republika” me autore Naime Beqiraj, e interpretuar me një forcë madhështore nga aktorja Ina Nallbani, ngriti zemrat peshë. Ajo poezi ishte edhe në shënjë nderimi për kontributin e femrës kosovare në luftën për çlirim dhe në vazhdim sot si kontribuese e vyer e Kosovës.

Një tjetër surprizë e shkëlqyer, interpretimi në violinë nga artisti Kastriot Xhon Marku, i cili edhe këndoi së bashku me prezantuesen znj. Anila Gremi këngën “E ku ka si ti, moj Shqipëria ime”. Këngë e cila mbylli këtë koncert madhështor në Londër.